Skënderbeu kapërcen me lehtësi Laçin, fundoset Vllaznia

05/03/2016 16:25

Skënderbeu vazhdon të mbajë hapin e titullit dhe i përgjigjet në distancë suksesit të Partizanit në derbi. Kampionët kanë mundur Laçin dhe rivendosën distancën prej 4 pikësh me “Të Kuqtë”.

Skënderbeu e gjeti golin e avantazhit në minutën e 34-t me Prognin, që dërgoi në rrjetë një top të kthyer nga shtylla pas gjuajtjes së Salihit. Sulmuesi shkodran shenjën e tij në takim e la edhe me një gol të realizuar në pjesën e dytë, pas një kombinacioni po me Prognin, për të vulosur përfundimisht këtë sukses të korçarëve.

Kukësi rikthehet te fitorja në transfertë. Të besuarit e Klodian Duros mposhtën me përmbysje Vllazninë në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës duke i dhënë fund rezultateve pozitive të kësaj të fundit në fushën e saj. Shkodranët u duk se e nisën  mirë takimin, teksa shënuan të parët me Endri Vrapin, që ekzekutoi mjaft mirë një goditje dënimi në minutën e 10-të. Kukësi iu kundërpërgjigj Vllaznisë në minutën e 33-të teksa barazoi me Eminin, ndërsa në pjesën e dytë, Edon Hasani ndëshkoi Vllazninë me një gol spektakolar nga jashtë zone. Kukësi me këtë fitore u ngjit në kuotën e 38-të pikëve, duke kërcënuar Tiranën në vendin e tretë.

Edhe Teuta fitoi në këtë javë të Kategorisë Superiore. Në “Niko Dovana”, të besuarit e Gugash Maganit mundën Bylisin me rezultatin e ngushtë 1-0. Mjaftoi goli i Mustës në minutën e 75-të për Teutën që të siguronte këtë fitore që e mban në lojë për vendin e tretë në kampionat.

Ndërkohë, në Vlorë, Flamurtari nuk mori dot më shumë se një pikë ndaj Tërbunit të vendit të fundit. Ndeshja u mbyll në barazim 1-1 me dy gola të shënuar në pjesën e dytë, fillimisht nga vendasit e më pas nga miqtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA