Refugjatët, Merkel takohet më Hollande në Paris, para samitit BE-Turqi

04/03/2016 00:00

Kriza e emigracionit çoi në Paris edhe Kancelaren gjermane, Angela Merkel, për të kërkuar së bashku me shefin e Elizesë, Francois Hollande, një zgjidhje të ngërçit, që mundon sot bllokun europian.

Takimi i dy udhëheqësve erdhi në kohën kur u qartësua shifra e personave, që kanë paraqitur kërkesa për azil në 2015-n: 1,2 milionë vetë, shumica sirianë, afganë dhe irakianë; një numër rekord ky, më shumë se dyfishi i atij të vitit paraardhës.

Merkel dhe Hollande donin të binin dakord përpara Samitit të Brukselit, që t’i bindin partnerët të angazhohen në një përgjigje të koordinuar të krizës, që ka përflakur Europën.

Tri ditë përpara takimit kyç BE-Turqi, aksi frankogjerman është vënë në lëvizje. Ajo çfarë synojnë, në mënyrë të veçantë Parisi dhe Berlini, është ta shtyjnë Ankaranë t’u qëndrojë zotimeve për të kontrolluar rreptësisht hyrjet në territorin e saj, për të pranuar emigrantët e paligjshëm që do të kthehen mbrapsht, e për të shtuar mbikëqyrjen e kufijve.

Sipas Francës, Turqia duhet po ashtu të përmirësojë strukturat pritëse të emigrantëve, për të cilat blloku ra dakord që t’i alokojë 3 miliardë euro.

Top Channel