Rama: Mos bëni kukuvajkën. Blushi: Në PS, banditizëm; thirrje kundër deputetit

04/03/2016 16:55

Pasi ka komentuar në mënyrë konstante në takimet me bazën socialiste, sulmet e opozitës ndaj ministrave Tahiri dhe Beqaj, kryeministri Edi Rama nga Elbasani ka folur edhe për ato që i drejtohen atij.

“Unë po nuk u sulmova nuk e njoh veten time kur zgjohem, nuk jetoj dot pa qenë i sulmuar dhe sa më shumë më sulmojnë, aq më shumë bindem që duhet të vazhdoj. Dhe nëse duan që unë të ndaloj, duhet që të ndalojnë të sulmuari”, deklaroi Rama.

Reformat e kësaj qeverie, për të cilat Rama tha se do t’ia dalim, ishin kryefjala e kreut të PS. “Të varfërit janë mishi për top i atyre që nuk i kuptojnë reformat, nuk i duan reformat, ose që iu preken interesat nga reformat. Po mirë, nga një Shqipëri pa reforma për 20 e kusur vite, kush e pësoi, të pasurit? E pësuan vetëm të varfërit. 20 e kusur vite, ça bëmë ne? I lamë të varfër me status të përjetshëm. Dhe nëse nuk do të vinte PS, njerëzit do të lindin të vafrër, do të rriten të varfër dhe do të vdesin të varfër. Kjo është gjeja që ne po luftojmë”, theksoi Rama.

Të pakënaqurin më të madh brenda Partisë Socialiste, deputetin rebel, kritikun e përditshëm, njëkohësisht sfidantin për kreun e partisë, Ben Blushin e kishte në rresht të parë. Përgjigjen e pakënaqësive, kësaj here pa ia përmendur emrin, Rama ia lëshoi ballë për ballë.

“Po të jetë puna për të bërë listën e të pakënaqurve dhe për të kërkuar si të bëjmë më shumë, jam unë i pari, por ama i pari, për të bërë edhe më shumë reforma dhe jo për të ndënjur e për të bërë kukuvajkën, ‘aman se po më marrim në qafë të varfërit’. Rroftë PS”, tha Rama.

Baza socialiste, deputetit të zonës Ben Blushi nuk i rezervoi një pritje aspak miqësore. Por në përfundim të këtij takimi, ku doli i shoqëruar nga oficerët e gardës, Blushi tha që nuk ishte i ftuar por shkoi në këtë takim. Ai i foli medias për një situatë aspak paqësore.

“Më vjen keq se këtu pati njerëz që u munduan të sulmonin çka nuk është absolutish Elbasani që njoh unë. Është një qytet mikpritës, i cili nuk meriton të përfaqësohet nga ata që janë kapur me armë dhe ishin këtu në sallë për të intimiduar njerëzit. Njerëz që përpiqen të sulmojnë dhe pengojnë të hysh në një sallë… Kjo sallë u kthye në një gjyq kundra një njeriu. Kini parasysh që nuk po qeveris unë. Pra, është vendi për t’i kërkuar llogari dikujt tjetër”, deklaroi Blushi.

Top Channel: Zoti Blushi, pse po ju mbrojnë me truproja, ngaqë kishte armë brenda ashtu siç deklaruat ju?

“Duhet të pyesni bodigardët që kanë qenë atje dhe njerëzit e sigurisë, të cilët mbajtën disa njerëz që unë si njihja, që ishin shumë të dhunshëm për fat të keq”, u përgjigj Blushi.

Top Channel