Vijimi me sukses i rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së për momentin ka vetëm një pengesë: miratimin e Reformës në drejtësi nga politika shqiptare, të cilës përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian njëherazi zëvendëspresidente e Komisionit Europian, Federica Mogherini i përcolli këtë mesazh nga salla e Parlamentit.
“Duhet një reformë e thellë dhe tërësore e gjyqësorit dhe kjo është gjëja numër një në axhendë. Kjo reformë do të hapë rrugën për një rekomandim nga Komisioni Europian për të filluar negociatat dhe që shtetet anëtare të marrin një vendim pozitiv për këtë çështje. Reformë që ne po diskutojmë është një nga reformat më të plota më tërësore propozuar ndonjëherë në vendet e zgjerimit. Presin që ju të bëni pikërisht këtë gjë ndaj bëjeni”, tha Mogherini.
Por, në deklarimin përpara medias, pas takimit me Kryeministrin, Mogherini u përcolli shqiptarëve më shumë shpresë për çeljen e negociatave.
“Unë me të vërtetë besoj se ne me patjetër duhet të çelim negociatat. Gjithashtu, me patjetër ne duhet ta kemi Shqipërinë plotësisht brenda unionit. Pra, për të mos mbetur thjesht si pjesë e Europës, por në Unionin Europian.
“Shpresojmë që ky Bashkim Europian të triumfojë dhe ne të bëhemi pjesë e tij, një orë e më parë, sepse përshtypja ime shumë modeste është që e meritojmë. Meritojmë të hapim negociatat, meritojmë të bëhemi sa më shpejt anëtarë dhe jeni të sigurt që, duke u bërë anëtarë, do të jemi një mbështetje e fortë për Europën e ëndrrave dhe të shpresave, kundër Europës së frikës dhe të mureve”, u shpreh Kryeministri Rama.
Mogherini përdori të njëjtën gjuhë si John Kerry kur foli për zhvillimet në Shqipëri dhe lidershipin e Edi Ramës.
“Nuk mendoj që është koincidencë që vetëm përpara disa ditësh juve ju është dhënë i njëjti mesazh nga John Kerry. Mesazhi që BE-ja dhe SHBA-ja po i çojnë Shqipërisë dhe përçojnë qytetarëve shqiptarë është i njëjti. Ju po bëni për vendin tuaj diçka të madhe dhe të mirë. Për këtë duhet vendosmëri, kurajë, përfshi durimin për të ecur përpara e kjo në fund të fundit është udhëheqja. Ndjenja ime e mirënjohjes shkon për ju si shqiptarë, për institucionet, por edhe për ju personalisht për atë që po bëni për vendin tuaj dhe Europën. Një histori suksesi për Shqipërinë është histori suksesi për Europën dhe vetë unionin”, tha ndër të tjera Mogherini.
Vizitën në Tiranë, Mogherini e nisi me një takim në Kryesinë e Kuvendin me kryeparlamentarin Ilir Meta, përpara se t’i drejtohej me një fjalë Parlamentit. Po ashtu, ajo takoi e Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Para largimit nga Shqipëria, paraditen e të premtes, Mogherini do të takojë shefin e opozitës, Lulzim Basha.
Top Channel