Dekriminalizimi, Xhafaj: Qesharak, pa efekt dhe zhurmë kundër reformës në drejtësi

03/03/2016 21:20

Fatmir Xhafaj, kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe i atij për Reformën në Drejtësi thotë se ka kundërshtuar në forumet e Partisë Socialiste para zgjedhjeve të 2013-ës futjen në listën e deputetëve të kandidatëve të përfolur si të inkriminuar.

Deklaratën, deputeti socialist e bëri në Top Story-n e kësaj të enjteje.

“Është e turpshme kjo që ka ndodhur në Parlamentin shqiptar, në sensin që janë ulur në Parlament njerëz me precedentë të rëndë penalë. E kam mbajtur një qëndrim për këtë çështje para zgjedhjeve në 2013 brenda forumeve të Partisë Socialiste. I kam bërë vërejtjet në një forum kolegjial”, tha ai duke iu përgjigjur me “Po” pyetjes së Sokol Ballës nëse e kish fjalën për emrat e përfolur.

Xhafaj deklaroi për herë të parë se përse bojkotoi seancën parlamentare kur u miratua ligji i dekriminalizimit.

“Ajo që e bën të dhimbshme dhe qesharake gjithë këtë histori është mënyra sesi është trajtur gjithë ky proces, që më ka bërë të jem reagues. Unë nuk votova në Parlament për këtë ligj, jo se jam kundër këtij ligji, por nuk mendoj që pavarësisht kauzës, lufta duhet të justifikohet përmes normave kushtetuese dhe procedurave parlamentare sepse rrugë të tilla çojnë gjithmonë në ligje klienteliste dhe zgjidhje të gabuara si kjo që ndodhi. Rruga që u ndoq ishte e gabuar, u ndryshua Kushtetuta në 7 nene më keq se në 2008-n, kanë ardhur propozimet të mërkurën dhe deputetët i kanë lexuar të enjten”, tha Xhafaj.

Deputeti socialist tha se më shumë sesa dekriminalizimi, me rëndësi për shqiptarët është lufta kundër korrupsionit politik dhe reforma në drejtësi. Xhafaj, një javë pas mbërritjes së rekomandimeve të Venecias, thotë se opozita ka rënë në kundërshti me akuzat e saj se mazhoranca aktuale kërkon të kapë sistemin e drejtësisë. Xhafaj: Venecia vlerësoi draftin; vetingun e bëjnë ndërkombëtarët

Xhafaj e pasqyroi këtë me një propozim që opozita ka bërë sa i takon strukturimit të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, që zëvendëson Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

“Një propozim që dy t’i ketë opozita dhe tre ti ketë mazhoranca. Pra, dy nga lista t’i përzgjedhë opozita dhe tre mazhoranca. Ai vjen si profesionist, me kostumin e profesionistit dhe do të dalë me kostumin e partisë”, u shpreh Xhafaj.

Ndërkohë ajo që propozon Partia Socialiste, është diçka që sipas zotit xhafaj nuk lejon kapjen politike.

“Një nga avokatia, një të vijë nga noteria, nga bota akademike, nga shkolla e Magjistraturës dhe nga shoqëria civile. Avokatia sjellë 5 kandidatura që i zgjedh si profesionist. Kuvendi të bëjë një seleksionim me një votim të fshehtë, të seleksionojë dy, por pa e pranuar se nga janë seleksionuar. Këta më pas t’i kthehen Këshillit të Emërimeve, i cili është një organ i Gjyqësorit, bën një renditje preferenciale, Kuvendi i voton dhe nëse nuk arrin shumicën e cilësuar ngelet i pari në listë”, tha Xhafaj.

Kërkesat e opozitës, Xhafaj i lexoi si zhurmë për të zhvendosur vëmendjen nga reforma në drejtësi.

“Maxhoranca i la dorë të lirë opozitës për të gjitha aktet që do të shoqëronin ligjin, por PD zgjodhi të bëjë politikë me to dhe e gjithë zhurma me dekriminalizimin po bëhet për të larguar vëmendjen nga reforma në drejtësi”, shtoi ai.

Por a do të ketë efekt ligji i dekriminalizimit? Për këtë, Fatmir Xhafaj ka një përgjigje të shkurtër.

“Ashtu siç është ndërtuar dhe ashtu siç është menduar nuk do të ketë asnjë efekt”, thotë ai.

Top Channel