Arrihet marrëveshja? Palët vazhdojnë bisedimet. Nesër, seancë paradite

03/03/2016 20:05

Parlamenti i ndërpreu punimet ditën e enjte, deri në mbrëmje vonë, për t’u lënë vend negociatave, që u zhvilluan larg vëmendjes mediatike. Palët e përfshira në bisedime shpresojnë se, të premten do të arrijnë në një konsensus përfundimtar për përmbajtjen e akteve nënligjore për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

“Besoj se kemi arritur në një draft. Unë mendoj që nuk do të ketë nevojë për negociata të tjera. Bëhet fjalë për një vendim të Kuvendit dhe më pas për formularin e vetëdeklarimit”, tha Taulant Balla.

Top Channel mësoi se, drafti i rakorduar është ai i formularit të vetëdeklarimit. Palët e kanë mbyllur marrëveshjen për këtë akt dhe burime jozyrtare bëjnë të ditur se, ai i ngjan më shumë në përmbajtje formularit të Partisë Demokratike. Megjithatë, jo gjithçka është mbyllur. Diçka që u reflektua në gjuhën e kujdesshme të përdorur nga palët e përfshira në negociata.

“Mendoj se konsensusi është pothuajse i arritur. Nesër është momenti i duhur për të përmbyllur këtë vendim, në zbatim të ligjit për dekriminalizimin”, tha Ilir Meta.

“Jemi drejt fundit. Deri tani janë pranuar një seri çështjet të rëndësishme, ka ende pak çështje që janë gjithashtu me rëndësi për të cilat po punohet”, deklaroi Oerd Bylykbashi.

Top Channel mësoi se ka dy pika ende të parakorduara. Ato janë pjesë e projektvendimit që duhet të miratojë Parlamenti dhe kanë të bëjnë me vënien në lëvizje të titullarëve të institucioneve dhe Prokurorisë, përkatësisht për të verifikuar të dhënat e vetëdeklarimit dhe për të vlerësuar të dhënat penale, që vijnë nga jashtë vendit.

Top Channel