Gazsjellësi TAP rigjallëron TEC-in e Vlorës

02/03/2016 12:10

Ndërtimi i gazsjellësit TAP mund të rigjallërojë një prej investimeve më të mëdha dhe të dështuara në fushën e energjetikës sicc është TEC-i i Vlorës. Qeveria zvicerane do të financojë 6 milionë euro për ngritjen e kapaciteve të gazit vend.

Ministri i Energjise Damian Gjiknuri tha se brenda vitit do të kryhet studimi i fizibilitetit për lidhjen e TEC-it të Vlorës me gazsjellësin TAP.

“Për shumë vite ka qenë një projekt i dështuar, i dizenjuar për të punuar me naftë edhe me gaz, por që gaz nuk ka patur. Që ky projekt të marrë jetë dhe të bëhet i vlefshëm për portofolin energjetik shqiptar është shumë i rëndësishëm lidhja e tij me sistemin e gazit. Projekti merr përsipër të bëjë studimin e fizibilietit për lidhjen nga pika e daljes të gazit në Fier me termocentralin e Vlorës, që ta bëjë përfundimisht edhe këtë termocentral një nyje shumë të rëndësishme të prodhimit të energjisë”, tha Gjiknuri.

Në fakt KESH nuk e ka marrë ende në dorëzim TEC-in e Vlorës nga kompania ndërtuese, pasi ka probleme me impiantet e ftohjes, dhe palët gjenden në arbitrazh ndërkombëtar. Ky projekt ka nisur në vitin 2004 me një kredi prej 92 milion të Bankës Botërore, që shlyhet tashmë nga taksapaguesi shqiptare.

I planifikuar për të funksionuar me naftë, ai rezultoi me kosto të lartë të prodhimit të energjisë. Tani pas më shumë se 12 vitesh TEC-i kërkon para të tjera shtesë për ta kthyer teknologjinë nga me naftë, me gaz.

Top Channel