Basha takon zv.presidentin e BB: Ekonomia shqiptare drejt rrënimit

02/03/2016 18:45

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti pasditen e së mërkurës në një takim zv.presidentin e Bankës Botërore për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore, Cyril Muller.

Gjatë takimit, Basha shprehu shqetësimin për situatën, sipas tij, të rëndë ekonomike që po kalon vendi, me rritjen e borxhit publik, mungesë investimesh dhe, çfarë ai cilësoi si më problematike, “rritjen e papunësisë dhe varfërisë me ritme të përshpejtuara”.

Gjithashtu, Basha e vuri theksin tek “korrupsioni i shtrirë në të gjitha qelizat e qeverisjes”, mungesa e transparencës, krimi dhe pasiguria juridike.

“Në vitin 2015, rreth 400 milionë euro i munguan buxhetit të shtetit vetëm nga doganat dhe tatimet. Shqetësim është rritja e borxhit publik nga 62% në 74%. 1.1 miliardë euro ka marrë borxh qeveria, dhe sot nuk asnjë investim publik, asnjë rrugë të re, asnjë shkollë, nuk ka as rritje pagash e pensionesh e as më shumë fonde për personat në ndihmë ekonomike. Përkundrazi, është ulur pagesa për papunësinë, ndërsa është rritur papunësia, siç raporton dhe Komisioni Europian”, tha Basha, i cituar në një njoftim të PD.

Sa i takon “nivelit të lartë të korrupsionit”, Basha theksoi se 1 miliard euro janë vjedhur vetëm gjatë vitit të kaluar, 400 milionë euro nga doganat dhe tatimet dhe 777 milionë euro nga tenderat, prokurimet dhe konçesionet korruptive, “të cilat fitohen gjithnjë nga familjarët, miqtë dhe klientët e kryeministrit dhe ministrave të tij”, tha Basha.

Ai u shpreh se, konçesionet janë kthyer në një mënyrë përfitimi të parave publike nga një grup personash të lidhur me qeveritarët, siç janë, sipas tij, rasti në shëndetësi dhe ai i TVSH-së, “ku siç raportojnë mediat investigative, konçesionari ka lidhje me vëllain e kryeministrit dhe për këtë arsye u shkarkua dhe ministri i Financave, për t’u zëvendësuar nga Arben Ahmetaj”, nënvizoi më tej Basha në takimin me zotin Muller.

Top Channel