FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni Kreditë me probleme ranë sërish në tremujorin fundit të vitit 2015 duke zbritur në 17.66 përqind e totalit. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë, borxhet e këqija në banka kanë rënë me 5.1 pikë përqindje.
Ulja e kredive me probleme vjen pas disa vitesh me radhë rritje. Në fillim të vitit 2014 të ndihmuara nga FMN dhe Banka Botërore, Qeveria së bashku me Bankën e Shqipërisë hartuan një plan masash për reduktimin e kredive me probleme.
Ndër to përfshihej njohja si shpenzim i zbritshëm nga taksat i fshirjes së kredive të këqija, forcimi i ekzekutimit të garancive dhe ndërmjetësimi mes bankave dhe borxhlinjve për ristrukturimin e kredive. Masat duket se kanë filluar të japin efekt dhe nga kulmi prej 25 për qind e totalit, kreditë me probleme kanë zbritur në 17.66 përqind.
Muajin tjetër, Banka e Shqipërisë do të paraqesë planin e detajuar të veprimit me 35 kompanitë që kanë peshën më të madhe të kredive të këqija, ndërkohë që brenda verës do të jetë gati edhe ligji i ri i falimentit, i cili lehtëson procedurat e mbylljes së bizneseve problematike.
Plani i uljes së kredive me probleme është cilësuar si parakusht për rritjen e kreditimit në ekonomi, që vijon të mbetet negativ. Sipas Bankës së Shqipërisë në janar stoku i kredive ishte 2.6 përqind më i ulët se një vit më parë.
Top Channel