Refugjatët, Belgjika vendos kontrolle të përkohshme kufitare me Francën

23/02/2016 00:00

Belgjika ka vendosur kontrolle të përkohshme në kufi me Francën gjatë kësaj të marte, me synimin për të zmbrapsur një valë të mundshme emigrantësh, teksa një gjykatë franceze po shqyrton mundësinë e evakuimit të një kampi të improvizuar refugjatësh mes lagështisë dhe baltës, të ngritur në Calais (Kale).

Qyteti portual verior francez, ku së fundmi janë shtuar së tepërmi tensionet antiemigrantë, ka qenë një prej pikave kyçe të krizës së emigrantëve e refugjatëve, më e madhja që ka goditur Europën që prej Luftës së Dytë Botërore.

Rreth 4.000 emigrantë që ndodhen në kampin zvarritës, e që duan të gjithë të kalojnë përmes kanalit të La Manshit drejt Britanisë, janë përballur me një urdhër dëbimi brenda kësaj nate, në të kundërt do të përballen me evakuimin me forcë.

Gjithsesi, një gjykatë administrative e qytetit Lille ka bërë të ditur se nuk do të ndërmarrë ndonjë vendim mbi kampin e Calais deri ditën e mërkurë apo të enjte. Vet gjykatësja që ka në shqyrtim këtë çështje ka vizituar një pjesë të kampit gjatë së martës.

Porti i Calais dhe shërbimi hekurudhor i Eurotunelit, shumë lehtë të aksesueshme, e bëjnë këtë qytet pikën ideale për hyrjen në Britani në mënyrë të fshehtë. Megjithatë, rritja e masave të sigurisë ka detyruar emigrantët, të cilët shpesh drejtohen nga trafikantë, të shfrytëzojnë udhëtimet e vështira me kamionë apo të kalojnë kufirin drejt portit belg të Zeebrugge.

Për këtë arsye të fundit, ministri i Brendshëm belg, Jan Jambon ka njoftuar se vendi i tij i ka bërë të ditur Bashkimit Europian se do të vendosë kontrolle të përkohshme kufitare, duke përdorur rreth 290 policë në ditë, për t’u siguruar që asnjë kamp emigrantësh të mos ngrihet në Belgjikë, si dhe për të parandaluar udhëtimet e emigrantëve me anije përmes Zeebrugge me destinacion Britaninë.

FOTO GALERI
3/9

Top Channel