Siri, sulmet ndaj spitaleve “krime lufte”

16/02/2016 08:35

Franca dhe Turqia kanë deklaruar se sulmet ajrore ndaj spitaleve në veri të Sirisë përbëjnë krime lufte.

Të paktën 50 persona mbetën të vrarë në sulmet ajrore ndaj spitaleve dhe shkollave në rajon, deklaruan Kombet e Bashkuara.

Ministria e Jashtme turke fajësoi Rusinë për sulmet, ndërkohë që presidenti sirian Bashar al Assad ka hedhur dyshime mbi mundësinë e implementimit të planit për “dhënien fund të akteve armiqësore” në Siri.

Javën e kaluar fuqitë botërore ranë dakord që të punonin për vendosjen e një armëpushimi në Siri, që do të hynte në fuqi më vonë gjatë kësaj jave.

Por në komentet e tij të para, Assad deklaroi se armëpushim nuk do të thotë që të gjitha palët të ulin armët.

“Deri tani ata kanë thënë se duan arritjen e një armëpushimi brenda javës, por kush është aq i aftë sa të zgjidhë tërë këto probleme në një javë?”, u shpreh Assad.

Ndërkohë, Mego Terzian, president i organizatës Mjekët pa Kufij, tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se, “ose qeveria siriane, ose ajo ruse janë fajtore për sulmet”.

Por ambasadori sirian në Moskë u përgjigj duke thënë se, ato që duhen fajësuar janë Shtetet e Bashkuara, një deklaratë që Pentagoni e hodhi poshtë duke e cilësuar “tërësisht falso”.

“Ne s’kemi asnjë arsye pse të sulmojmë në Idlib, pasi ISIS nuk është aktiv atje”, deklaroi zëdhënësi i Pentagonit, kapiten Jeff Davis.

Top Channel