Rusi, ndërron jetë ish-shefi i agjencisë së anti-dopingut

15/02/2016 11:50

Ka ndërruar jetë për shkak të një ataku të fortë në zemër ish-shefi i agjencisë ruse të anti-dopingut, Nikita Kamaev.

Vdekja e tij vjen dy muaj nga dorëheqja nga posti drejtues, për shkak të skandalit të dopingut që përfshiu atletikën ruse dhe që shkaktoi pezullimin e Rusisë nga aktivitetet ndërkombëtare.

Agjencia Botërore e Anti-Dopingut akuzoi atletët rusë për përfshirje në një program të mbështetur nga qeveria për përdorimin e substancave të ndaluara, si dhe për korrupsion e gjobëvënie.

Por, agjencia analoge ruse, Rusada, në një komunikatë për shtyp shprehet se, “Kamaev do të mbahet mend për mirëkuptimin, eksperiencën dhe profesionalizmin e lartë, si dhe për atmosferën miqësore që kishte krijuar”.

Pas skandalit, Rusia u pezullua nëntorin e kaluar përkohësisht nga garat ndërkombëtare të atletikës, përfshirë Lojrat Olimpike. Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Atletikës deklaroi se, pezullimi do të mbetet në fuqi derisa Rusia të japë prova se ka ndryshuar praktikat e saj.

Ndërkohë, ish-bashkëpunëtori i Kamaev, Ramil Khabriev ka deklaruar se, “ai u ankua për dhimbje në zemër pas sesionit të skive. Nuk ishte ankuar kurrë më parë, të paktën jo me mua. Bashkëshortja e tij ndoshta di diçka për këtë”. 

Top Channel