Papa Françesku do të mbajë, javën që vjen në Kubë, një takim të parë historik me kreun e Kishës Ortodokse ruse, patriarkun Kiril. Sipas rusëve, tema qëndrore e këtij takimi të rrallë do të jetë “persekutimi i të krishterëve”.
Udhëheqësi i Kishës Katolike do të bëjë një ndalesë në Kubë, gjatë rrugëtimit të tij drejt Meksikës. Ky konsiderohet një event me rëndësi të veçantë në lehtësimin e tensioneve të lindura mes dy kishave, që prej Skizmës së madhe të shekullit të XI, që ndau Romën nga selia e Ortodoksisë, Konstandinopoja, apo degës perëndimore dhe asaj lindore të Krishtërimit.
Takimi është planifikuar të zhvillohet në Aeroportin e Havanës, ku dy udhëheqësit do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët. Patriarku Kiril do të jetë në shtetin komunist për një vizitë zyrtare, në të njëjtën kohë me ndalesën e Papës argjentinas në kryeqytetin kuban.
Nga selitë e të dyja kishave u tha se, ky takim do të shënojë një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes tyre dhe mund të rezultojë mjaft i frytshëm.
Top Channel