E gjithë administrata në provim, vlerësim njohurish e përshtatshmërie me pozicionin

28/12/2015 00:00

Të gjithë punonjësit e administratës shtetërore do të hyjnë në provim të detyruar, ku do të vlerësohen për njohuritë që kanë dhe nëse këto njohuri janë të përshtatshme me pozicionin e punës së tyre.

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e radhës një vendim të posaçëm, i  cili përcakton procedurat për testimin dhe, nëse do të jetë e nevojshme, edhe trajnimin e punonjësve të shtetit.

Sipas qeverisë, ky proces ka 3 objektiva. Të përcaktojë nëse nëpunësit civilë janë të përshtatshëm me pozicionin e punës që mbanjë, të zbulojë aftësitë e tyre për zhvillimin profesional dhe të përcaktojë nevojat për trajnime shtesë. Për këtë arsye, çdo punonjës i shtetit do të hyjë fillimisht në një testim paraprak të detyruar.

Sipas vendimit, testimi do të përfshijë të gjitha ndryshimet dhe të rejat, që i përkasin fushës përkatëse të nëpunësit. Këto ndryshime apo të reja përcaktohen rast pas rasti, nga Departamenti i Administratës Publike, në bashkëpunim me institucionet e administratës shtetërore ku bën pjesë punonjësi.

Vendimi ka parashikuar edhe mënyrën e vlerësimit të punonjësve në testim. Sipas tij, nëpunësit që do të marrin pikët maksimale, nga 90 deri në 100 pikë, rekomandohen për ngritje në detyrë. Ata që do të marrin nga 51 deri në 89 pikë konsiderohen si të përshtatshëm për vendin e punës, ndërsa ata që marrin më pak se 50 pikë do të detyrohen t’i nënshtrohen një trajnimi tremujor intensiv dhe, nëse edhe pas këtij trajnimi do të vlerësohen negativisht, atëherë do të largohen nga puna.

Qeveria thotë se, përmes këtij procesi, synon të ndërtojë sistemin e meritokracisë në administratën publike, por edhe një sistem që mundëson pajisjen e punonjësve shtetërorë me njohuritë më të reja të fushës respektive ku ata punojnë.

Top Channel