Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Elbasan, ku një 56-vjeçar i ka dhënë fund jetës me armë zjarri.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si Ura e Lizës. Burime bëjnë me dije se viktima është gjetur pa shenja jete, ndërsa dyshohet se ka qenë i dehur.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes.

Një banor i zonës dha një prononcim për Top Channel, ku përshkroi ngjarjen. Ai tha se para aktit, viktima ishte në lokal për të pirë kafe dhe më pas ka shkuar në shtëpi. “Njihej si familje e mire. Ishte njeri punëtor. Ishte te lokali duke pirë kafe e më pas shkoi në shtëpi me biçikletë, e pashë vetë. Gënjeu të shoqen i tha ‘shko merr bukë’, dhe kur futet brenda fillon duke bërtitur. Mendova se e kishte goditur ai të shoqen, nëse kishte pirë”, u shpreh qytetari.

Njoftimi i policisë:

Elbasan/Informacion paraprak

Rreth orës 12:00, në fshatin Mengel, shtetasi K. Q., 56 vjeç, dyshohet se në gjendje të dehur, është vetëvrarë me armë sportive, në banesë.

Arma u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.

Top Channel