Avokati publikon pamjet/ E moshuara dhunohet në banesën e saj, reagon policia

05/05/2026 16:32

Autoritetet kanë reaguar lidhur me një video të publikuar në Facebook nga shtetasi Arben Llangozi, me profesion avokat, duke kryer menjëherë veprimet e nevojshme verifikuese për përmbajtjen e saj dhe ngjarjet që lidhen me të.

“Ua fikën dritat për t’i fikur zërin nënë Ishes 75-vjeçare, por kamerat me diell ua nxorën fytyrën bandës së policisë

Dëgjoni bandën me uniformë se si flasin me njëri-tjetrin: “Ngrije me shqelma”, thonë për një nënë 75-vjeçare, ndërkohë që sipas pamjeve dhe dëshmive, vetë uniformat e kanë dhunuar. Edhe më e rëndë është rrethana se e gjithë kjo situatë lidhet me faktin se, para se policia të hynte në banesë, është ndërprerë energjia elektrike, me sa duket për të penguar regjistrimin e ngjarjes nga kamerat e sigurisë. Por ata nuk kishin llogaritur se në banesë kishte edhe kamera të lidhura me panele diellore, të cilat kanë vijuar të regjistrojnë.

Kjo nuk është thjesht dhunë ndaj një të moshuare. Kjo ngre dyshime edhe më të rënda, për veprim të organizuar, për tentativë për të shmangur provat, për ndërhyrje në banesë pa transparencë dhe për përdorim të uniformës si mjet presioni ndaj qytetarit. Kur shteti ndërpret dritat para se të hyjë në banesën e një qytetari dhe më pas uniformat dëgjohen duke folur me gjuhë dhune, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një incident të zakonshëm, por me një alarm publik.

Një nënë 75-vjeçare nuk mund të trajtohet si objekt, nuk mund të dhunohet, të poshtërohet dhe pastaj të shoqërohet sikur ajo të ishte problemi. Problemi është kur dhuna vjen nga ata që mbajnë uniformën e shtetit. Problemi është kur uniforma përdoret për të frikësuar, jo për të mbrojtur.

O popull, mos u ngopni me propagandë. Shikoni realitetin. Shteti nuk matet me fjalime, por me mënyrën si trajton më të pambrojturit. Kur dhunohet një nënë 75-vjeçare dhe tentohet të fshihet e vërteta duke ndërprerë energjinë elektrike, askush nuk është më i sigurt”, shkruan në videon e postuar avokati Llangozi.

Në njoftimin e policisë thuhet:

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës

Në lidhje me një video të publikuar në llogarinë në Facebook të shtetasit A. Ll., me profesion avokat, sqarojmë se menjëherë, u kryen veprimet e nevojshme verifikuese mbi pamjet dhe ngjarje të tjera që lidhen me rastin e shfaqur në to.

-Nga këto verifikime rezultoi se pjesa e parë e videos së publikuar paraqet një ngjarje të ndodhur vitin e kaluar, për të cilën, më datë 22.12.2025, janë referuar materialet në Prokurori, ku është vendosur procedimi penal në gjendje të lirë, për shtetasit që shfaqen në video, D. Sh. dhe B. M., pasi dyshohet se më datë 22.12.2025, rreth orës 12:30, në Golem, Kavajë, kanë goditur me grushte dhe me shkelma, shtetasin R. A., me pretendimin se ky i fundit i ka fyer gjatë konfliktit për motive pronësie.

 

-Pjesa e dytë e videos së publikuar lidhet me shoqërimin e nënës së shtetasit R. A., shtetases Sh. A., 69 vjeçe, pasi më datë 04.05.2026, Policia e Kavajës është njoftuar se e moshuara kishte spërkatur me lëndë djegëse, dhe më pas kishte ndezur, një kontejner të një subjekti ndërtimi, në pronësi të shtetasit A. L.. Në momentin e shoqërimit, kjo shtetase ka kundërshtuar me forcë, punonjësit e Policisë, duke i goditur dhe kafshuar.

Në këto kushte, me qëllim shmangien e konfliktit të interesit, veprimet procedurale për këtë rast janë kryer nga oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ku ka filluar procedimi në gjendje të lirë, për shtetasen Sh. A., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Më tej, informojmë se janë referuar materialet procedurale në Prokurori dhe për 2 raste të tjera të lidhura, konkretisht:

-më datë 24.03.2026, ka kallëzuar te Komisariati i Policisë Kavajë, shtetasja Sh. A., se i kishin marrë në mënyrë të padrejtë, pronën, duke e shmangur si trashëgimtare;

-më datë 15.04.2026, ka kallëzuar shtetasi E. M., se shtetasja Sh. A. kishte shkatërruar rrethimin e kantierit të ndërtimit që administron ai.

Policia e Durrësit garanton qytetarët se është maksimalisht e angazhuar, për të trajtuar shpejt dhe me profesionalizëm, çdo indicie, njoftim dhe denoncim për paligjshmëri ose shkelje të të drejtave të tyre.

Top Channel