Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale pasi SPAK i mbylli derën dhe mundi të kontrollojë vetëm disa gjykata në rrethe, miratoi kalendarin e punës për të vijuar kontrollet, kësaj here brenda qeverisë.
Komisioni “Xhafaj” e argumenton nevojën e këtij kontrolli për të identifikuar pengesat praktike dhe të ofrohet mbështetje për finalizimin e akteve nënligjore në afat pas miratimit të një morie me ligje nga parlamenti.
Detajet e ministrive subjekt kontrolli i dha nënkryetari socialist Ermal Elezi. “Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, mbi: Ligjet e miratuara sipas fushë përgjegjësisë për periudhën 2021-2025 (legjislatura X), numrin dhe titujt e akteve nënligjore të parashikuara në ligj; aktet nënligjore që janë miratuar deri më tani dhe datat e miratimit. aktet nënligjore që mbeten për t’u miratuar dhe afatet e përcaktuara; problematikat e hasura”, u shpreh Ermal Elezi.
Gjin Gjoni anëtari demokrat në këtë komision e quajti të nevojshëm këtë kontroll parlamentar në këto ministri. “Nëse ka probleme të vinë raportojnë në Parlament”, theksoi ai.
Top Channel