Përplasi për vdekje dy të miturit në Durrës ndërsa drejtonte makinën i dehur/ Mbërrin në gjykatë Nikoll Radaçi, pritet të njihet me masën

05/05/2026 11:05

Mbërrin në Gjykatën e Durrësit Nikoll Radaçi, drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin tragjik ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.

Siç raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi, sot ai pritet të njihet me masën e sigurisë. Për shkak të mungesës së përfaqësimit, pritet t’i caktohet një avokat kryesisht.

Aksidenti i rëndë ndodhi pasditen e së dielës, më 3 maj, në Spitallë të Durrësit. Fëmijët po luanin në trotuar kur 57-vjeçari, i njohur në zonë me nofkën “Bisha” me të cilën vetëquhej, dhe në gjendje të dehur, humbi kontrollin e automjetit, u ngjit mbi trotuar dhe i përplasi.

Si pasojë e përplasjes, humbën jetën në vendin e ngjarjes Enea, 12 vjeç dhe Klesi, 9 vjeç, ndërsa Arbioni, 8 vjeç, arriti të mbijetojë, por me dëmtime në gjymtyrë. Banorët e zonës thonë se Radaçi ishte problematik në qarkullim dhe disa herë më parë qenë ankuar në polici. Ai ishte ndëshkuar nga Policia Rrugore për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Ngjarja tragjike ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik. Një ditë më parë, edhe në Kuvend u kërkua ashpërsim i masave në Kodin Rrugor për raste të tilla.

Top Channel