Chicago, policia vret “aksidentalisht” nënën e 5 fëmijëve

27/12/2015 00:00

Një oficer policie në Chicago të SHBA-ve “qëlloi aksidentalisht për vdekje” një grua, nënë e 5 fëmijëve, pasi iu përgjigj një thirrjeje për një shqetësim të brendshëm.

Bettie Jones, 55-vjeçare, u vra së bashku me fqinjin e saj, 19-vjeçarin Quintonio LeGrier, i cili ishte edhe shkaku i telefonatës ndaj policisë ditën e shtunë. Kryebashkiaku i Chicagos, Rahm Emanuel tha se tashmë ka nisur hetimi i këtij rasti.

Departamenti i policisë së qytetit është gjithashtu prè e një hetimi federal për përdorim të tepruar të forcës, pas vrasjes së një adoleshenti me ngjyrë nga një oficer i bardhë policie në vitin 2014.

Antonio LeGrier tha për një media lokale se, sapo ishte kthyer në shtëpi, e kishte gjetur të birin me probleme psikike në një gjendje ankthi dhe shqetësimi. Ai kishte telefonuar menjëherë policinë dhe kishte njoftuar fqinjen e tij, Bettie Jones, që jetonte një kat më poshtë mbi atë që po ndodhte.

Kur policia mbërriti në vendngjarje – sipas tij, – ishin dëgjuar të shtëna dhe kur kishte dalë të shihte jashtë gjeti të birin dhe zonjën Jones të shtrirë në hollin e shtëpisë.

Departamenti i Policisë së Chicagos njoftoi përmes një deklarate se “me të mbërritur, oficerët ishin përballur me një subjekt agresiv, që ishte bërë shkak i të shtënave me armë nga policia, nga të cilat u plagosën fatalisht dy individë. Femra 55-vjeçare ishte qëlluar gabimisht dhe mbeti tragjikisht e vrarë”. Sigurisht, zyrtarët e departamentit kanë ofruar edhe “ngushëllimet e sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimës”.

Top Channel