Britani, me dhjetëra të evakuuar nga përmbytjet. Rrezikohen 3500 prona

27/12/2015 00:00

Ekipet e emergjencave kanë nisur prej mesnatës punën për të evakuuar personat nga shtëpitë e tyre në York, për shkak të përmbytjeve që kanë prekur zonën veriore të Anglisë.

Policia ka këshilluar 300 deri në 400 familjarë të largohen nga shtëpitë buzë lumenjve Ouse dhe Foss në York, ndërkohë që rreth 3500 prona e biznese rrezikohen ndjeshëm.

Qindra paralajmërime për përmbytje janë në fuqi në Angli, Uells dhe Skoci, përfshi mbi 25 alarme të rënda, që nënkuptojnë rreziqe për jetët e njerëzve.

Ministrja e Mjedisit, Liz Truss tha se qeveria do të bëjë gjithçka për të rishikuar masat mbrojtëse nga përmbytjet. Truss tha se ka pasur nivele të paprecedenta të reshjeve të shiut në pjesë të shumta të veriut të Anglisë, duke shtuar se mund të thuhet pa frikë se mbrojtëset ndaj përmbyteve janë “përpirë”.

Ajo deklaroi gjithashtu se disa lumenj nuk i kanë arritur ende nivelet kulmore, teksa shtoi se edhe ushtria është vënë në funksion të plotë në York, Leeds dhe disa zona të Lancashire.

Kryeministri britanik, David Cameron pritet të kryesojë një telekonferencë të Emergjencave pak më vonë, teksa do të vizitojë të hënën zonat e prekura nga përmbytjet.

Top Channel