Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan është bërë të premten rastësisht dëshmitar në një situatë tepër dramatike, por ka mundur t’i japë zgjidhjen më të mirë të mundshme.
Një person kishte hipur mbi kangjella në urën e Bosforit që lidh Europën me Azinë dhe kërcënonte se do të hidhej nga ura. Eskorta e presidentit ishte duke kaluar në ato momente dhe është vërejtur personi mbi kangjella që po tentonte vetëvrasjen.
Sipas informacioneve të dhëna nga Presidenca e Turqisë, Erdogan ka ndaluar automjetin, ndërsa stafi i tij duket edhe nga pamjet e publikuara teksa i thonë personit se Presidenti kërkon të flasë me të. Pas pak çastesh, personi që po tentonte vetëvrasjen ka hequr dorë dhe është shoqëruar nga stafi i Presidentit.
Personi rreth 30 vjeç vuante nga depresioni për shkak të problemeve familjare, ndërsa mësohet se forcat e policisë ishin përpjekur për rreth dy orë që ta bindnin atë për të zbritur nga kangjellat.
Një zyrtar nga zyra e Presidentit mësohet të ketë thënë për “Associated Press” se Erdogan i kishte premtuar personit në fjalë se do ta ndihmonte.
Top Channel