Pas akuzave të Partisë Demokratike në adresë të kryetarit të ri të Partisë Socialiste, Martin Cubi, ka reaguar selia rozë, e cila thekson se Martin Cubi, në cilësinë e kryetarit të Komunës Pult nuk ka qenë agresori, por viktima e një sulmi të rëndë fizik ndaj tij, gjatë periudhës kur ushtronte detyrën në vitin 2009.
Si rezultat i sulmit, Martin Cubi ka mbetur i plagosur dhe ka përdorur një armë të regjistruar, me leje, për t’u vetëmbrojtur.
“Qoftë vendimi i gjykatës në shkallën e parë, qoftë vendimi i formës së prerë në apel e kanë nxjerrë ish-kryetarin e Komunës të pafajshëm, duke konfirmuar faktin se arma ka qenë me leje dhe është përdorur vetëm për qëllime vetëmbrojtëse. Për më tepër, është e pavërtetë që personi në fjalë është emëruar në krye të Partisë Socialiste Shkodër, por ai mban detyrën e koordinatorit të PS-së për ish-komunat e Shkodrës”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Partisë Socialiste, i cili mbyllet me ftesën drejtuar Partisë Demokratike dhe partive të tjera që të marrin shembullin e PS, e cila në procesin e brendshëm zgjedhor në parti do të zbatoje ligjin e sapovotuar me konsensus për integritetin e figurës së çdo të zgjedhuri dhe çdo punonjësi të administratës publike.
“Asnjë individ që preket nga kriteret e ligjit në fjale, nuk do të mund të zgjidhet brenda strukturave të Partisë Socialiste, as drejtues i PS-së në njësitë vendore dhe as delegat i Kongresit të saj”, mbyllet reagimi i Partisë Socialiste.
Pas kësaj, ka reaguar dhe vetë Martin Cubi, i cili me anë të një njoftimi për mediat akuzon Alibeajn se gënjen dhe disinformon publikun. Më tej, Cubi ka shpjeguar ngjarjen, të cilës Alibeaj i referohet duke theksuar se dy gjykatat e kanë shpallur të pafajshëm në kohën kur ministër i Drejtësisë ishte vetë Enkelejd Alibeaj. E në fund të deklaratës së tij, Martin Cubi bën të ditur se për këto gënjeshtra, do të përballet në Gjykatë me Enkelejd Alibeajn për shpifje.
Top Channel