Maqedoni, Këshilli Opozitar: Jo vetëm sallat, duhen mbushur me protestues edhe rrugët

20/12/2015 13:20

Kohë më parë në Shkup u themelua Këshilli Opozitar, në të cilin bëjnë pjesë organizata joqeveritare, personalitete të njohura shqiptare si dhe parti të vogla opozitare.

Themeluesit e këtij këshilli thonë se kanë për qëllim t’ua kthejnë shqiptarëve të Maqedonisë gjënë më të vlefshme që ata kanë, e që u është marrë nga partitë që janë bërë shërbëtore të qarqeve politike e policore maqedonase: të drejtën të votojnë lirshëm dhe të mos mbeten pa shtet vetëm pse disa shqiptarë janë në pushtet.
 
Këshilli Opozitar ka filluar aktivitetet e veta duke organizuar tribuna, nëpërmjet të cilave ka për qëllim ta luftojë dukurinë në rritje që ka të bëjë me mosdaljen e shqiptarëve në zgjedhje.
 
Në tribunën e së shtunës mbrëma në Shkup, përfaqësuesit e këtij Këshilli kanë thënë se nuk mjafton vetëm mbushja e sallave ku debatohet, por duhet që edhe rrugët të mbushen me protestues që do e ngrenë zërin kundër padrejtësive që u bëhen shqiptarëve të Maqedonisë.
 
“Vetëm reagimi dhe ngritja e zërit kundër të keqes, mund të ndihmojë në ruajtjen e shqiptares dhe njerëzores në ne, në këtë situatë kur e keqja është kaq e rrënjosur në shoqërinë tonë. Dhe ky duhet të jetë një nga misionet tona kryesore”, ka thënë në këtë tribunë anëtari i këtij këshilli, Rufat Halili.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA