Jenson Button e kishte marrë në konsideratë mundësinë për t’u tërhequr nga Botërori i Formulës 1 në fund të këtij viti. Piloti britanik i McLaren e pohoi këtë në një intervistë për “Sky Sports”.
“Vitin e kaluar nuk isha i sigurt se do të garoja dhe nuk ishte zgjidhja ime, por këtë vit, gjithçka ishte në dorën time. Erdhi një moment që unë mendova se nuk doja më të garoja, por ja ku jemi. Sigurisht, nëse në vitin 2016 do të jemi në të njëjtin nivel si këtë vit, gjërat nuk do të jenë të këndshme për ne”, tha britaniku.
Button shtoi se planet e Hondës për t’u kthyer kompetitive në Formulën 1 janë inkurajuese, pavarësisht nga problemet e shumta të shfaqura gjatë vitit 2015: “Kam shpenzuar shumë kohë me inxhinierët dhe personat që merren me aerodinamikën e makinës. Fola dhe me Ron Dennis gjatë 2 muajve të fundit kur ishte duke u menduar për vendimin që do të merrja për vitin tjetër. Hodhëm shumë ide dhe arritëm të kuptonim drejtimin në të cilin po shkonim ne dhe Honda. Kjo më bëri optimist për sezonin e ardhshëm, pasi e di që do të përmirësohemi shumë”.
Top Channel