Sejko: Kemi bërë seleksionimin e kompanive debitore

09/12/2015 17:15

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi se fati i 35 borxhlinjve më problematikë të vendit nuk do të jetë i njëjtë.

Në komisionin parlamentar të ekonomisë, Sejko tha se Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me bankat private kanë përzgjedhur se cilat kompani do të ristrukturohen dhe cilat do të çohen në faliment.

“Fokusi ynë ka qenë të ndanim se cilat kompani kishin prospekte pozitive dhe cilat nuk mund të rimëkëmbeshin më. Është punuar me bankat dhe është bërë ndarja”, deklaroi Sejko.

Seleksionimi i kredimarrësve problematikë është një nga pikat kryesore të planit për uljen e kredive të këqija. Guvernatori nuk dha detaje të mëtejshme, por kërkoi nga gjykatat që të bëjnë pjesën e tyre.

Sejko ishte thirrur në komison për të dhënë vlerësimin mbi buxhetin e vitit të ardhshëm. Ai tha se drafti i përgatitur nga qeveria reflekton plotësisht sugjerimet e Bankës së Shqipërisë.

Por, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, guvernatori tha se banka mban një skenar më të rezervuar nga ai i qeverisë për rritjen e pritshme ekonomike.

“Ministria e Financave dhe qeveria thonë 3.4 për qind, ne jemi pak më konservatorë dhe mendojmë nga 3 deri në 3.4”, tha Sejko.

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një politikë agresive gjatë dy viteve të fundit për të ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomisë.

Por sipas Sejkos, lehtësimi ekstrem i politikës monetare nuk ka dhënë efektin e pritshëm në rritjen e kredisë për shkak të pasigurive të larta në treg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA