Shuhet në moshën 76-vjeçare imzot Rrok Mirdita

07/12/2015 15:30

Që prej orës 20:00, trupi i pajetë i Imzot Rrok Mirditës, Arqipeshkvi Metropolitit i Arkidioqezës Tiranë-Durrës, është vendosur në Katedralen e Shën Palit në kryeqytet, dyert e së cilës kanë qëndruar të hapura deri në mesnatë.

Qindra qytetarë janë lutur në heshtje për Imzot Rrok Mirditën, lutje këto të cilat do të vijojnë deri ditën e enjte, kur dhe do kryhet dhe mesha e funeralit.

Arkidioqeza Tiranë-Durrës, me anë të një njoftimi për shtyp bëri të ditur se homazhet zyrtare do të kryen me datë 9 dhjetor, ndërsa ditën e enjte, në orën 10:00 do të nisë mesha e funeralit, të cilën do ta drejtojë Imzot Ramiro Molinar Ingles, Nunci Apostolik në Shqipëri. Predikimin do ta mbajë Imzot Gjergj Frendo, Ipeshkvi Ndihmës i Tiranë- Durrësit, ndërsa përshëndetja e fundit te varri do të bëhet nga Imozt Angelo Massafra, Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dhe Arqipeshkv Metropolit i Shkodër Pultit.

Trupi i Imzot Mirditës do të prehet në Kriptën e Katedrales, në vendin e caktuar për varrimin e Ipeshkvinjëve, sipas traditës së Kishës Katolike, dëshirë të cilën mësohet se Imzot Rrok Mirdita e ka shprehur që në ndërtimin e Katedrales së Shën Palit.

Imzot Rrok Mirdita u shtrua me urgjencë mbrëmjen e 4 dhjetorit në QSUT pas një hemorragjie cerebrale, por pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale, gjendja e tij nuk pati përmirësime dhe mesditën e së hënës mbylli sytë.

Imzot Rrok Mirdita pati fatin të priste dy papët në Shqipëri, si drejtuesi i Dioqezës më të madhe në vend. E ashtu siç ai kishte parashikuar në intervistën e fundit të dhënë për emisionin “Exclusive” në Top Channel, shqiptarët e mirëpritën Papën.

“Papa ishte i mirëpritur në Shqipëri dhe këtë ai e dinte. Unë hulumtova për të parë reagimet për kuriozitet dhe me kënaqësi të madhe konstatoj nga shoqëria shqiptare se pa dallim feje ata e presin Papën dhe me një gëzim të madh”, ishte shprehur imzot Rrok Mirdita.

Imzor Rrok Mirdita u lind në Këllezen të Ulqinit dhe më 4 korrik 1965 u shugurua meshtar. Më 28 shtator 1989 emërohet famullitar i famullisë së re “Zoja e Shkodrës”, e themeluar nga vet ai në New York. Do të ishte vet Papa Gjon Pali i II-të, i cili do ta emëronte Arkipeshkv të Durrës-Tiranë dhe, gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1993, ai u shugurua Ipeshkv. Do të ishte sërish Papa Gjon Pali i II-të, ai që në vitin 2005 do t’i jepte titullin e Arkipeshkvit Metropolit.

Top Channel