
Në Shqipëri ndodh edhe kështu. Boraka është i njëjti fshat, por i ndarë në dy pjesë. Njëri krah i përket Bashkisë Shijak, ndërsa tjetri Bashkisë Durrës. Duket si një lojë fjalësh, por në fakt ky është realiteti. Boraka i Durrësit apo i Shijakut?
Fshati Borakë, ashtu si ai ngjitur tij Koxhasi, kanë një histori të veçantë. Prej mëse 150 vitesh, aty jeton një komunitet i konsiderueshëm boshnjak. Historia thotë se ata ishin nisur për të shkuar në Turqi, ndërsa një pjesë mbeti këtu, duke ngritur një copëz të vendit amë, nga i cili ishin larguar si muhaxhirë.
Të ardhurit u përshtatën shpejt në këtë zonë, që ndodhet në krah të superstradës Tiranë-Durrës. Pronat i blenë nga vendasit që në kohët kur erdhën, duke i dhënë udhë një bashkëjetese të shkëlqyer, që vazhdon edhe sot.
Por ku nis historia e çuditshme e këtij komuniteti? Duke shfrytëzuar faktin se ata ishin mjaft punëtorë, pa fjalë e thjeshtësisht të përshtatshëm, në vitin 1970 i ndanë në dy pjesë. Një pjesë e Borakës kaloi në fermën e Sukthit, ndërsa tjetra mbeti siç ishte, në kooperativën e Shijakut. Që nga ajo kohë asgjë nuk ndryshoi, as kur qeveria ndërmori reformën territoriale, e cila në mënyrë absurde ruajti të njëjtën ndarje. Një ndarje brenda të njëjtit fshat.
“Duke parë që ne jemi njerëz të mirë në përgjithësi, njerez që nuk i kemi sjellë probleme asnjëherë shtetit, në asnjë lloj mënyre, njerëzit më punëtorë, njerëzit që punojnë ditë e natë për ndërtimin e kësaj shoqërie e këtij komuniteti, shikojeni sa i bukur është, arriti qëllimi që një rrugë prek 4 metrash asfalt të ndajë prindin nga djali, ose të ndajë djalin nga prindërit”, thotë Fiqiri Kllari.
Për ta kuptuar më mirë, ja konkretisht sesi është ndarë Boraka. Një rrugë e vogël mes fshatit, që vërtet mund të mos ketë tela me gjemba, apo mure rrethuese, por që megjithatë i ka çarë në mes banorët e tij.
“Jemi duke ecur. Pas 5 hapash do të duhet të ndajmë mendjen, të ikim majtas (nga Shijaku) ose djathtas (nga Durrësi). Për dy metra kaluam nga Shijaku në Durrës. Një lagje djathtas, një lagje majtas, duke qenë një vëlla majtas, një vëlla djathtas, kështu i bie këtu”, thotë Agim Sabli.
Shtëpi pas shtëpie s’ka ndryshim. Ata tregojnë sesi janë ndarë, e mbi të gjitha ndihen të dobët, për faktin se zëri i tyre nuk është dëgjuar kurrë.
“Goca, që është tek ajo shtëpia e bardhë atje, është në Shijak, kurse ne jemi në Durrës. Na ndajnë 30-40 metra, brenda të njëjtit fshat”, thotë Bedrie Sfinjari.
Me këtë lloj ndarjeje bëhen edhe investimet në fshat. Një pjesë rruge e bën Bashkia Durrës, e një tjetër ajo e Shijakut, e po kështu shërbimet e tjera, deri tek ato më minimalet, siç është për shembull mbledhja e mbeturinave. Pa llogaritur një rast morti. Varrezat janë në krahun e Bashkisë Shijak, e këtu prehen edhe të ndjerët e Bashkisë Durrës. Ashtu si arsimin dhe shëndetësinë, që i kanë po bashkë.
“Për çdo investim, për çdo problem që mund të jetë për njërën lagje, mund të themi tashmë se nuk i përket tjetrës”, thotë Hamdi Sabli.
“Ne kemi varrezat e përbashkëta, shkollën e përbashkët dhe shumë gjëra të tjera. Vetëm bashkinë na e kanë ndarë tani”, thotë Dilaver Sabli.
Edhe më problem është fakti se, një banor mund të jetojë nën njërën bashki, ndërsa pronën e tij vetëm pak metra më tej, e ka në bashkinë tjetër. Një mish-mash të tillë, veç Shqipëria mund ta ofrojë.
“Duhet të jemi në një qendër administrative, sepse edhe të ardhurat bashkia mund t’i mbledhë më lehtë, nuk do kalojë në dy bashki. Problemet që mund të kemi zgjidhen, sepse jemi më afër Bashkisë Shijak, sikurse dhe probleme të tjera, që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme”, thotë Aqif Buka.
“Kjo lagje duhet të shkojë nëpër Shijak, ndërsa ne të tjerët duhet të interesohemi e të shkojmë në Durrës. Interesi do të kishte qenë, sikur të ishim siç kemi qenë gjithmonë të përbashkët”, thotë Ramiz Mica.
Ata janë një komunitet i paqmë, që kanë ditur të shkrihen me popullsinë vendase, janë mikpritës e gjithmonë bashkëpunues. Ndoshta kjo ka bërë, që të drejtat e tyre të mos respektohen kurrë sa duhet. Nuk njihen si minoritet, për shembull, edhe pse probleme s’kanë krijuar kurrë. Më pas u vënë mbi shpinë edhe këtë ndarje, që do të duhej të shënohej në analet jo thjesht shqiptare, por botërore. Në rastin më të mirë, për paaftësinë e treguar nga specialistët apo zyrtarët, që janë marrë me këtë çështje; e në më të keqin, si një shkelje e të drejtave të një komuniteti.
“Mungon tashmë të vendosin edhe tabela, sesi hyhet për në autostradë. Nuk është normale kjo punë kështu. Po qe se mund të bëhet diçka, le ta bëjmë; nëse jo, se kemi ne në dorë”, thotë Bashkim Sabli.
Nëse në vitet ’70 i ndanë për arsye të tjera, po sot? Vështirë të gjesh një arsye, se ç’do të thotë ky kufi i ngritur mes një fshati, kjo ndarje pa as një lloj kuptimi profesional e logjik. Banorët, pavarësisht kërkesave të vazhueshme, nuk dinë nëse dikush është marrë me këtë çeshtje, apo gjithçka ka rënë në vesh të shurdhët.
E rëndësishme është që ky realitet kërkon një zgjidhje. Boraka duhet tË bashkohet, apo më mirë të ribashkohet. Një komunitet i tillë i bën nder një vendi, që flet e synon të integrohet në Bashkimin Europian. Boraka dhe banorët e saj janë sot një vlerë, e si të tilla duhen trajtuar edhe kërkesat e tyre.
Top Channel