Rrjeti rajonal i autostradave, Haxhinasto: Na duhen edhe 1.2 miliard euro

03/12/2015 16:05

Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto deklaroi se Shqipërisë i duhen edhe 1.2 miliard euro investime në infrastrukturë për t’u lidhur me korridoret rajonale të transportit.

“Shqipëria gjatë këtyre 20 viteve të fundit ka investuar mbi 3.7 miliardë dollarë në infrastrukturë. Në studimin tonë kemi konkluduar se rrjetit tonë do t’i duhen edhe 1.2 miliardë euro investime të tjera në të ardhmen”, deklaroi Haxhinasto.

Haxhinasto i bëri këto deklarata gjatë takimit të radhës me ministrat e Transporteve të vendeve të Ballkanit. Prej vitit 2004 vendet e rajonit kordinojnë investimet për të ndërtuar një rrjet të përbashkët transporti, jo vetëm rrugor por edhe hekurudhor. Procesi udhëhiqet nga Bashkimi Europian.

“Kemi planifikuar hartat, kemi planifikuar rrjetin se si duhet të jetë, me qëllim që ta ankorojmë këtë rajon me Bashkimin Europian, për t’u shkëputur nga ajo situata e dikurshme që ngjante me një enklavë ku gjithësecili ndërtonte rrjet transporti për vete”, deklaroi Oliver Onidi nga Komisioni Europian.

Plani parashikon ndërtimin e të ashtuquajturit rrjet bazë që lidh 7 vende të rajonit me korridoret europiane. Por përballë kufizimeve buxhetore, Haxhinasto tha se qeveria po shikon mundësinë për të angazhuar kapitalin privat si në rastin e Autostradës së Kaltër, për të cilën është nënshkruar një memorandum mirëkuptimi mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe një kompanie kineze.

“Besoj që mund të gjejmë e realizojmë sinergji të mirëfillta mes planifikimit strategjik në kuadër të SEET-ës, KE-së, por edhe burimeve të reja të financimit të veprave, pasi kërkojnë angazhime të jashtëzakonshme”, tha Haxhinasto.

Rrjeti bazë i transportit që lidh vendet e rajonit përbëhet nga 5.975 kilometra rrugë dhe mbi 4.600 kilometra hekurudha. Ai përfshin gjithashtu 7 porte detare dhe 11 aeroporte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA