Klima, Obama optimist: Mendoj se jemi në rrugën e duhur

01/12/2015 20:00

Në fund të vizitës së tij në samitin e Klimës në Paris, Presidenti amerikan, Barack Obama, shprehu optimizëm se Kombet do të arrijnë në një marrëveshje solemne për ndryshimet klimaterike.

“Unë mendoj se ne jemi në rrugën e duhur për të zgjidhur diçka. Ndryshimi i klimës është një problem i madh gjeneratash. Është një problem për të cilin politika e ka të vështirë të rakordojë, sepse të bësh bashkë 200 vende është shumë”, tha Presidenti amerikan.

Ndërkohë, ai bëri thirrje edhe për mekanizma transparente që të gjithë shtetet duhet t’i zbatojnë si ligjërisht të detyrueshme. Barack Obama tha se nuk e kishte parashikuar që do të realizohej një takim me një numër kaq të madh udhëheqësish, të gjithë të mbledhur bashkë për të ulur emetimet që shkaktojnë efektin serë. Por kreu i Uashingtonit, e shfrytëzoi takimin e Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë një tjetër mesazh homologut të tij Vladimir Putin.

“Fakti që bisedimet e Vjenës për çështjen e Sirisë po përparojnë, është një shenjë se Vladimir Putin po e kupton se zgjidhja ushtarake në Siri nuk është e duhura. Unë pres që rusët ta zhvendosin fokusin e tyre në Siri nga mbështetja e regjimit të Bashar al-Assad-it në luftimin e Shtetit Islamik. Ne vazhdojmë të kemi pikëpamje të ndryshme për zgjidhjen e konfliktit, Rusia beson se Assad-i mund të luajë rol të rëndësishëm, ndërsa për ne ai nuk mund të bashkojë vendin”, tha Obama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA