Probleme në furnizimin me ujë, reshjet shkaktuan turbullira të mëdha

23/11/2015 00:00

Uji që vjen nga liqeni i Bovillës është me turbullira të mëdha, çka ka bërë që impanti i filtrimit të ujit të mos vihet në punë. Prej ditës së dielë, gati gjysma e kryeqytetit nuk po furnizohen me ujë të pijshëm, ndërkohë që ekspertët po punojnë pa ndërprerje.

“Dje patëm reshje intensive që shpëlanë pellgun ujëmbledhës dhe bënë që liqeni të turbullohej deri në sipërfaqe. Uji vinte në formë llumi të zi. Kohëzgjatja e tyre deri në 17 orë bëri që impianti teknikisht të mos realizonte trajtimin e ujit. Por ne do vëmë në ujë impiantin dhe do garantojmë që uji që do të prodhohet të plotësojë standardet e nevojshme”, deklaroi një punonjës i impiantit.

Për t’i ardhur në ndihme qytetarëve, ujësjellësi ka lajmëruar se do të sjellë autobote me ujë. “UKT ka marrë masa serioze për t’i furnizuar banorët e zonave me autobotë, duke u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve, dhe duke gjetur skemën që të furnizohen edhe nga depot e Tiranës”, tha punonjësi.

Reshjet e ditës së dielë, kanë sjellë një përkeqësim të madh të gjendjes në liqenin e Bovillës. Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka deklaruar se pasditen e së hënës do të përfundojë remonti në Bovillë. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA