Strasburg, bllokohet ura e Europës. Dyshohet për atentatorin Abdelslam Salah

16/11/2015 00:00

Forca të shumta policie janë dërguar pranë një ndërtese në rrugën e Pragës, “Strasbourg-Neudorf”, në qytetin e Strasburgut, vetëm pak orë pasi është siguruar një dekret qeveritar për ndalimin e trafikut në seksionin francez të urës së Europës (lidh Gjermaninë me Francën), për shkak të gjendjes së emergjencës së vendosur në Francë, e që Presidenti Francois Hollande e shtyu edhe për 3 muaj të tjerë, siç e njoftoi në fjalimin para parlamentarëve.

Zona e urës me drejtim nga Gjermania në Francë është mbyllur për t’u përdorur si një zonë sigurie dhe kontrolli për zbatuesit e ligjit, por nga raportimet e fundit bëhet e ditur se është vënë re një person i dyshimtë që i ngjan njërit prej atentatorëve të sulmeve të Parisit, Abdeslam Salah, i cili po përpiqet t’i shpëtojë kontrolleve policore në zonën e Alsaces.

Personi i dyshimtë është pikasur rreth orës 15:30, ndërsa ndërtesa në fjalë është evakuuar nga banorët, të cilët janë mbledhur në një palestër. Deri më tani thuhet se forcat speciale të kërkimit dhe ndërhyrjes së shpejtë “nuk mund ta konfirmojnë apo ta mohojnë” ndodhjen e personit të shumëkërkuar, por po bëhet gjithçka e mundur në këtë operacion masiv policor për të vënë nën pranga njërin prej shkaktarëve të vdekjeve të më shumë se 129 personave dhe plagosjes së mbi 300 të tjerëve.

Top Channel