Terror i ISIS në Paris, Hollande: Luftë pa mëshirë ndaj tij

14/11/2015 00:00

Atë që u përfol shpejt në media, presidenti francez, Francois Hollande e konfirmoi gjatë një konference për shtyp ku i dha fund hamendësimeve mbi përgjegjësineëe akteve të dhunshme që tmerruan Francen.

Sulmet, thuajse të njëkohësishme në Paris, që morën rreth 130 jetë njerëzish, ishin sipas shefit të Elizesë, një akt lufte i organizuar nga Shteti Islamik. Goditjet e realizuara nga 8 persona të armatosur e atentatorë vetëvrasës, sqaroi Hollande, janë planifikuar e orkestruar jashtë Francës.

“Të nderuar bashkëqytetarë, ajo çfarë ndodhi në Paris, në Saint-Denis e pranë Stade de France ishte një akt i pastër lufte dhe përballë luftës, vendi duhet të marrë masat e tij. Është një akt lufte i kryer nga ushtria terroriste e ISIS-it, një ushtri terroriste që mësyn Francën, mësyn vlerat të cilat ne i kemi mbështetur me aq forcë në mbarë botën”, thotë Hollande.

Pas vrasjes së dhjetera personave gjatë një mbrëmjeje shpërthimesh e sulmesh me armë zjarri, siç ishte ajo e së premtes, Franca shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe mbylli kufijtë. Shumica e viktimave ishin në sallën e koncerteve Bataclan. Parisi u zgjua të shtunën në hijen e një makthi që solli në zemër të Francës masakrën dhe kaosin.

Kryeqyteti francez përjetoi orë tmerri mbrëmjen e së premtes. Jehona e sulmeve terroriste të janarit nuk ishte fashitur akoma, kur Parisi u zhyt në panik e në një konfuzion edhe me të madh prej një vale goditjesh, që nisën me pengmarrjen e dhjetra veteve në sallën e koncerteve Bataclan.

Tmerri do të merrte fund vetëm me mësymjen e ndërtesës nga forcat e sigurisë, por për shumë prej pengjeve, ishte tepër vonë. Dëshmitarët okularë flasin për skena ferri në atë sallë; persona të veshur në të zeza, hapën zjarr ndaj spektatorëve dhe pasi të plagosurit binin në tokë, ata u afroheshin dhe i qëllonin përsëri në stil ekzekutimi.

Të shtënat zgjatën 10 apo 15 minuta. Nga njoftimet e para rezulton se autorët e sulmeve kanë përdorur armë automatike AK-47 dhe bomba. 4 ishin autorët e sulmit në Bataclan; tre prej tyre, sipas autoriteve mbanin të veshur breza vetëvrasës me lëndë shpërthyese.

Seria e sulmeve ishte e mirëkoordinuar. Njerëz të tjerë u qëlluan për vdekje në bare dhe restorante në disa pika të ndryshme të Parisit. “Corriere Della Sera” flet për trupa të pajetë që dergjeshin në tokë, pamje tronditëse për sytë e francezëve të pamësuar me të tilla situata.

8 sulmues besohet të jenë vrarë gjithsej, por shifrat ndryshojnë vazhdimisht. Dukshem i tronditur, presidenti Francois Hollande i quajti një “llahtar” sulmet dhe u betua për luftë pa mëshirë kundër terrorizmit.

“E dimë kush janë këta terroristë. Terroristët duan të na frikësojnë dhe të na paralizojnë me frikën, por ky është një vend që di të mbrohet”, deklaroi Hollande.

Ekspertët flasin për goditje në të ashtuquajturat “objektiva të buta”, si restorante, salla koncertesh dhe stadium, aty ku ka grumbullim të shumtë njerëzish për të maksimalizuar numrin e viktimave dhe panikut.

Presidenti Hollande kërkoi përforcime ushtarake në Paris për të parandaluar sulme të tjera. Në një stadium në afërsi të Parisit, ku po luhej një ndeshje futbolli mes Francës dhe Gjermanisë, u dëgjuan të paktën tre shpërthime. Në ndeshje ishte i pranishëm edhe vetë Hollande.
Një nga sulmuesit në sallën e koncerteve duket se ka shprehur mbështetjen për ISIS-n. “Është faji i Hollande-it! Në Siri nuk duhet të ndërhynte”, thërriti ai.

Corriere della Sera thotë se militantët e shtetit islamik kanë marrë përsipër përgjegjësinë e sulmeve përmes një mesazhi në Twitter, ku thonë se Franca dërgoi avionët e saj në Siri duke bombarduar e vrarë fëmijë; tani edhe francezët do të pijnë në të njëjtën kupë. Radhën e ka Roma, Londra dhe Uashingtoni. “Gjaku francez është i mirë, por ai amerikan është edhe më i mirë, e ne do ta provojmë shumë shpejt”, thuhet në mesazh.

Top Channel