Qeveria serbe dhe ajo boshnjake kanë mbajtur takimin e tyre të parë të përbashkët në Sarajevë. Të dyja palët po përpiqen që të përmirësojnë marrëdhëniet, mbi dy dekada që nga konflikti gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.
Kryeministri serb, Alexander Vuçiç citohet të ketë thënë se, Serbia dëshiron të bëhet partneri kryesor tregtar i Bosnjes. Gjithashtu, të dyja vendet synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Masast e sigurisë në Bosnje kanë qenë tepër të larta në kuadër të vizitës së kabinetit serb. Në korrik, kryeministri Vuçiç u sulmua me gurë teksa merrte pjesë në ceremoninë e përkujtimit të masakrës së Srebrenicës, ku trupat serbe vranë mijëra myslimanë boshnjakë. Por Vuçiç ka në plan të kthehet në Srebrenicë më 11 nëntor, për një konferencë.
Takimi i përbashkët pritet të ketë kurorëzuar marrëveshje për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, kërkimet për personat e zhdukur, mbrojtjen e ambjentit dhe telekomunikacionin.
Gjithashtu, mësohet se dy palët kanë diskutuar për projekte të përbashkëta në infrastrukturë dhe energji, përfshirë këtu segmentin hekurudhor Beograd-Sarajevë, raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.
Në prag të mbledhjes, Vuçiç tha se, pavarësisht argumenteve të “gjaknxehtëve” në të dyja vendet, është e pamundur që të dyja vendet të shmangin bashkëpunimin me njëra-tjetrën.
“Ne jemi kaq të ndërlidhur sa do të na duhet të jemi së bashku për qindra vjet”, citohet të ketë thënë ai nga agjencia private e lajmeve boshnjake, “Onasa”.
Ndërsa kryeministri boshnjak, Denis Zvizdiç, sipas të njëjtit burim, tha: “kjo vizitë ka rëndësi jo vetëm për zhvillimin por edhe në aspektin simbolik”.
Top Channel