Siri, të paktën 61 të vrarë nga raketat mbi tregun e populluar

30/10/2015 00:00

Të paktën 61 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur ka lënë një sulm me raketë i forcave qeveritare të Sirisë mbi një treg të populluar pranë Damaskut, gjatë kësaj të premteje.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë me seli në Londër që monitoron luftën civile në Siri përmes një rrjeti burimesh në terren, bëri të ditur se forcat e Assadit kanë lëshuar 12 raketa në Douma, rreth 15 km në verilindje të Damaskut.

Ndërkohë, të paktën 20 të vdekur të tjerë janë shkaktuar nga bombardimet e avionëve luftarakë mbi Aleppo, në disa pjesë të qytetit verior të Sirisë. Për këto të fundit ende nuk dihet se cili vend i ka ndërmarrë këto sulme nga ajri.

Douma është kthyer në një vend bombardimesh të rënda prej muajsh, pas valës së sulmeve ajrore të ushtrisë siriane që kanë për objektiv kryengritësit, të cilët nga ana e tyre kanë zhvilluar sulme ndaj forcave qeveritare në rajonet e kontrolluara prej këtyre të fundit.

Mbrojtja Civile Siriane, një grup shpëtimi lokal me mision humanitar, i cili operon në zonat e kontrolluara prej rebelëve, publikoi një foto në Facebook që shfaqte dhjetëra trupa të përgjakur të shtrirë në tokë apo mbi mbulesa plastike, ndërkohë që tha se 45 viktima ishin shkaktuar nga sulmi me raketa, numër ky paraprak gjithsesi, pasi më vonë raportohet për më shumë të vrarë.

Shumë prej banorëve të Doumas janë larguar nga vendi për shkak të konfliktit 4-vjeçar, duke gjetur strehë nëpër zona rurale apo në vendet fqinje me Sirinë. Lufta civile në Siri ka lënë mbi 250 mijë të vrarë dhe ka detyruar të shpërngulen mbi 10 milionë banorë.

Top Channel