Rivalitet gjeopolitik Rusi-SHBA edhe në Azinë Qendrore

30/10/2015 00:00

Pas Ukrainës dhe Sirisë, ish-republikat sovjetike në Azinë Qendrore mund të bëhen fushëbeteja e radhës për rivalitetin gjeopolitik mes Moskës dhe Uashingtonit, kryesisht i nxitur prej shqetësimeve të Kremlinit kundër islamikëve dhe dyshimeve amerikane në lidhje me qëllimet e vërteta të Rusisë.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry pritet të udhëtojë në 5 shtete të Azisë Qendrore (Kazakistan, Taxhikistan, Kirgistan – nën orbitën ruse; dhe Uzbekistan, Turkmenistan – nën orbitën amerikane) me synimin për të dhënë sinjalin se Shtetet e Bashkuara duan të ruajnë influencën në to, edhe pse është duke shkurtuar praninë ushtarake në Afganistanin fqinj.

Vizita e tij koinçidon me një “kor” paralajmërimesh nga zyrtarët rusë në lidhje me rrezikun e infiltrimit të militantëve të Shtetit Islamik në rajon nga Afganistani, shoqëruar edhe me nënkuptimin që Moska do të përgjigjet me përforimin ushtarak të saj në këtë rajon.

Edhe pse zyrtarët rusë thonë se ata udhëhiqen vetëm prej shqetësimeve ndaj militantëve dhe jo prej rivalitetit gjeopolitik, vëmendja e përforcuar e tyre rrezikon të nxisë edhe më shumë dyshimet e amerikanëve se, Moska po përpiqet të rindërtojë perandorinë e dikurshme.

“Kjo që po ndodh është diçka e ngjashme me vizionin neoimperialist mbi mënyrën sesi po funksionon bota dhe lidhet me ambiciet gjeopolitike të mëdha e të gjithëhershme të Rusisë”, thotë Jeffrey Mankoff, përfaqësues i “think-tank”-ut CSIS në Uashington.

Top Channel