Mikrobet “pushtojnë” ISS-n

27/10/2015 10:15

Pavarësisht se ndodhet 400 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës, Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar është i ndotur.

Ky është alarmi i lëshuar nga agjencia hapësinore amerikane, NASA, e cila në një raport të fundit vëren se stacioni qendror, që orbiton rreth planetit tonë, është i mbushur nga mikrobe të shumta që rrezikojnë shëndetin e astronautëve që punojnë në të.

Sipas NASA-s bëhet fjalë për baktere, mikrobe dhe mikroorganizma patogjenë që po përshtaten me shtëpinë e tyre të re nën kushtet e gravitetit të ulët, radiacionit hapësinor dhe nivelit të lartë të dioksidit të karbonit.

Shkencëtarët e NASA-s mbërritën në këtë përfundim pas analizave të kryera në një mostër të marrë nga pjesa e jashtme e satelitit artificial, ku u vu re një prani e theksuar e aktinobakteries, një patogjen i rrezikshëm që infekton lëkurën e njeriut.

Veç këtij bakteri janë gjetur edhe një sërë patogjenësh të tjerë që shkaktojnë infeksione në grykë, sy, veshë dhe lëkurë dhe për këtë NASA kërkon që të rishikohen masat e sigurisë higjienike në ISS.

Top Channel