70-vjetori i OKB-së, ceremoni mes sfidave të shumta globale

25/10/2015 00:00

Nga ngritja e Shtetit Islamik e terrori i ekstremistëve, te kërcënimet e përhershme të Koresë së Veriut me përdorimin e armëve atomike, sfidat e sigurisë nëpër botë janë aq të mëdha sa arritën të errësonin edhe kremtimet e 70-vjetorit të organizatës më të madhe të globit, që për qëllim kryesor të ekzistencës së saj ka sigurinë.

Drita blu ndriçuan mbrëmjen e djeshme selinë e OKB-së dhe “Empire State Building” në Nju Jork, të ndezura në një gjest ceremonial nga sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki-moon.

“Uroj shumë, që këto drita të na frymëzojnë për të kremtuar atë fener shprese, që është OKB-ja, e për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për të gjithë ne”, ishin fjalët e tij përpara se në përcjelljen e mesazhit t’i bashkohej edhe pianisti Lang Lang, që mban veshur petkun e lajmëtarit të paqes për Kombet e Bashkuara.

24 tetorin e vitit 1945 u ratifikua karta e OKB-së, çfarë mundësoi zyrtarisht krijimin e organizatës ndërkombëtare. Por në këtë 70-vjetor, përballë arritjeve, Organizatës së Kombeve të Bashkuara i rreshtohen edhe kritikat se, nga rojtare e paqes nëpër botë është shndërruar më shumë në një klub debati.

Thuhet shpesh se, zyrat me ajër të kondicionuar në qendrën e OKB-së në Manhattan janë shumë larg krizave dhe luftrave, – shkruan shtypi gjerman, – i cili vëren se pjesa më e madhe e pakënaqësisë është e lidhur kryesisht me konfliktin sirian.

21 organizata të ndihmave e kanë akuzuar organizatën botërore për dështim në këtë krizë. Nga mesi i korrikut, sekretari i Përgjithshëm i “Amnesty International”, Salil Shetty tha se gjendja në OKB është e mjerë.

Ndërsa ish-ambasadori gjerman në OKB, Hanns Heinrich Schumacher bën hapur përgjegjëse vendet anëtare për këtë situatë. “Ato, shumë shpesh i bllokojnë aktivitetet, në vend që t’u japin një zgjidhje, – deklaron Schumacher. – 5 vite më parë, në Këshillin e Sigurimit u miratua një rezolutë, ku kritikohej ashpër humbja e 5000 jetëve”, kujton ai.

Sot në siri ka mbi 250 mijë të vdekur, e vendi duket se po shkon drejt shkatërrimit të plotë.

Top Channel