Shkarkohet rektori i Universitetit të Prishtinës

21/10/2015 17:55

Është shkarkuar këtë të mërkurë në Kosovë, rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu.

Nga të dhënat e fundit rezulton se shkarkimi i tij është bërë në mbledhjen e Këshillit Drejtues të UP, me 6 vota pro.

Votimi është mbajtur pas kërkesës së senatorëve të universitetit, për shkak të përplasjeve mbi miratimin e zgjedhjes së stafit të ri akademik të Universitetit të Prishtinës.

Duke reaguar pak më vonë, Zejnullahu ka deklaruar se ky vendim nuk është drejtuar kundër tij, por kundër idesë së tij të reformës dhe progresit.

“Vendimi i sotëm i Këshillit nuk kishte të bënte me mua ose me stafin tim, por me idenë e reformës dhe progresit që ne po e përkrahim fuqishëm dhe idenë e mashtrimit dhe shantazhit që e përkrahin disa njerëz të fuqishëm. Sot, fatkeqësisht, fitoi kjo e dyta”, ka thënë Zejnullahu.

“Unë ende besoj në fuqinë e UP-së dhe të shoqërisë sonë për t’u transformuar, duke respektuar vlerat e duke ndërtuar institucione që punojnë për të mirën e përgjithshme e jo për klane njerëzish të fuqishëm. Unë do të vazhdoj ta jap kontributin tim për të mirën e UP-së në cilëndo pozitë që jam. Forca e dijes dhe arsyes do të triumfojë herët apo vonë. Rrugës do të humbim shumë beteja, por nuk duhet të ndalemi”, është shprehur ai.

Edhe Ministria e Arsimit i ka përcjellë me shqetësim këto zhvillime. “Vendimi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës për shkarkimin e rektorit thellon krizën në universitet dhe dëmton nismat reformuese për përmirësimin e cilësisë. Veprime të tilla të papranueshme janë në kundërshtim të plotë me angazhimin e qeverisë për ruajtjen e stabilitetit institucional dhe përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë”, thuhet në një reagim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA