Mbyllen punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës Thellohen përplasjet mes kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe liderëve të subjekteve opozitare. Këtë herë shkak është bërë një deklaratë e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, se nëse arrestohen deputetët e opozitës, atëherë populli do të arrestojë kryeministrin Mustafa.
Deklarata është pasuar nga një status në Facebook i kryeministrit, i cili riktheu në vëmendje akuzat për të cilat Haradinaj ishte ballafaquar në Gjykatën e Hagës.
Në statusin që e mohoi pak minuta më vonë, kryeministri kosovar shkruante se, sigurisht arrestimi i tij do të ndodhë në liqenin e Radoniqit, zonë kjo e kontrolluar nga Haradinaj në kohën e UÇK-së.
“Populli thotë se në Radoniq ka të burgosur të popullit”, thuhej në statusin e kryeministrit Mustafa, të cilin më vonë ai vetë e mohoi me arsyetimin se llogaria i është keqpërdorur.
E gjithë kjo nxiti reagimin e dytë të liderit të AAK-së, i cili tha se për viktimat e Radoniqit, Gjykata e Hagës i ka gjetur fajtorët. “Ata janë gjeneralët serbë Gjorgjeviç e Llazareviç, të cilët mund t’i kesh njohur e bashkëpunuar me ta”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Në këtë temë menjëherë u përfshi edhe lëvizja Vetëvendosje. “Akuza për Radoniqin vjen prej Serbisë. Dhe tani edhe prej Isa Mustafës. Edhe pse e trajtuar ne Hagë, asnjëri prej këtyre nuk duket se ka hequr dorë”, shkroi në rrjetet sociale kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.
Ky debat i ashpër mes liderëve partiakë e institucionalë ka nxitur reagimin e organizatave të shoqërisë civile, të cilat duke mbajtur një pozicion neutral kërkojnë nga subjektet politike që të lëvizin nga pozicionet e tyre ekzistuese, të cilat përveçse nuk prodhojnë zgjidhje, po përshkallëzojnë tensionin politik dhe e vënë në pikëpyetje perspektivën e vendit.
“Aktet e dhunës dhe gjuha nxitëse e shfaqur kohët e fundit kanë tensionuar situatën politike dhe paraqesin rrezik për përshkallëzim të mëtejshëm”, thuhet në reagimin e shoqërisë civile.
Në të kërkohet përfshirja e presidentes Jahjaga si garante e funksionimit të Kushtetutës së Kosovës, ndërsa vlerësohet pa rezultat thirrja e seancave plenare pa ndryshim të qëndrimeve dhe rrethanave politike.
Top Channel