Shkencëtari rus gjen “rininë e përjetshme”

15/10/2015 20:00

Nga mitologjia e lashtë kemi trashëguar sot atë që njihet si “eliksiri i jetës”; një ilaç magjibërës që i siguron atij që e pi rininë e përhershme duke iu shmangur plakjes dhe vdekjes.

Sigurisht, kur themi mitologji nënkuptojmë sajesë, diçka që nuk ka ekzistuar e nuk ekziston akoma. Por jo për një shkencëtar rus. Anatoli Brouchkov, 58 vjeç, këmbëngul se e ka gjetur formulën e “rinisë së përjetshme”…në një bakter 3.5 milionë vjeçarë.

Bëhet fjalë për bakterin Bacillus F, të cilin Anatoli e gjeti të gjallë në akujt e Siberisë. Pasi përcaktoi moshën e bakterit, 58-vjeçari që është edhe kreu i Departamentit të Gjekriologjisë në Moskë, dy vite më parë e injektoi këtë bakter në trupin e tij dhe thotë se efekti është çudibërës.

“Ndjehem më energjik. Kam nisur të punoj më gjatë dhe nuk më ka zënë gripi apo e ftohura që prej dy vitesh. Bëhet fjalë për një eksperiment dhe unë nuk mund të përcaktoj ende sesi ndikon ky bakter”, thotë Brouchkov.

58-vjeçari thotë se duhet ende kohë për të vërtetuar efektet e këtij bakteri, ndaj nuk ua këshillon atë të tjerëve.

Në fakt, shkencëtarët rusë pretendojnë se është vërtetuar që bakteri zgjat jetën e qelizave tek minjtë dhe tek mostrat e gjakut të njeriut, por nuk janë në gjendje të shpjegojnë sesi e bën këtë.

Top Channel