KE justifikon vendimin e Gjermanisë për rivendosjen e kontrolleve

14/09/2015 00:00

Komisioni Europian deklaroi se, vendimi i Gjermanisë për rivendosjen e kontrolleve, sidomos në kufi me Austrinë, është një masë e përkohshme, që mundësohet nga kodi i kufijve “Schengen” për raste të jashtëzakonshme, kur parashikohet një situatë krize.

E tillë konsiderohet situata aktuale e Gjermanisë nga KE, i cili detyrohet  të ndjekë zhvillimet në vendin themelues të BE-së dhe të informojë plotësisht, sipas rregullit, Parlamentin dhe Këshillin e BE-së.

“Qëllimet e përpjekjeve tona duhet të jenë për t’i ndihmuar garantimit të kthimit në normalitet të sistemit ‘Schengen’, për hapjen e kufijve ndërmjet vendeve anëtare sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Margaritis Schinas, zëdhënës i Presidentit Juncker.

Kryezëdhënësi i KE-së rrëfeu se, gjatë fundjavës, Presidenti Juncker ka biseduar me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, si dhe kryeministrat e vendeve hezituese: Hungarisë, Polonisë, Rumanisë, Bullgarisë e Sllovakisë, mbi paketën e propozuar nga Brukseli për zgjidhjen e krizës së emigrantëve.

Megjithëse edhe Austria me Sllovakinë kanë rivendosur kontrollet kufitare në terren, Komisioni Europian shprehet se nuk është sinjalizuar ende për këtë masë.

Në përgjithësi, kodi i kufijve “Schengen” parashikon një periudhë 10-ditore, e cila mund të zgjatet me 15 ditë deri në dy muaj, për rastet emergjente të rivendosjes së kontrollit kufitar.

Për teknokratët e KE-së, këto masa kontrolli te vendet anëtare nuk mund të dëmtojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve europianë, të cilët detyrohen gjithsesi të dëshmojnë identitetin e tyre në pikat e kalimit, ose të  udhëtarëve nga Shqipëria apo vende të tjera të treta, që gëzojnë aktualisht regjim të lirë pa viza në vendet e marrëveshjes “Schengen”.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel