Përmbytje në Azi e Europë, viktima në Japoni; dëme edhe në disa vende në Mesdhe

11/09/2015 15:20

Përmbytjet e paprecedenta kanë vazhduar të mundojnë rajone të tëra në verilindje të Japonisë, ku nga vërshimi i ujërave kanë humbur jetën të paktën tre vetë.

24 të tjerë raportohen të zhdukur, ndërsa 27 janë të plagosurit, për 8 nga të cilët, gjendja paraqitet e rëndë. Teksa stuhia tropikale po spostohet më në jug, zyrtarët paralajmërojnë banorët mbi rrezikun e reshjeve të mëtejshme të shiut dhe rrëshqitjeve të tokës.

Shirat e rrëmbyer pasuan kalimin e tajfunit Etau gjatë fillimjavës. Zona e prekur shtrihet nga verilindja e Tokios deri në prefekturën e Ibaraki-t të ndodhur pranë kryeqytetit e në atë të Miagit 350 km larg. Por Japonia nuk është i vetmi vend që bën llogaritë me kapricot e një moti ekstrem. Ujërat e përmbytjeve mbuluan të mërkurën qendrën e Catanias në lindje të Siçilisë.

Thirrjet për ndihme të një gruaje që kishte mbetur në makinën e saj u bënë provë e shpejtësisë me të cilën rrugët e qytetit u shndërruan në lumenj të rrëmbyer, duke mos i lënë kohë njerëzve të largoheshin. Zyrtarët e mbrojtjes civile kishin shpallur gjendjen e gatishmërisë për shkak të një cikloni nga Mesdheu që po zhvendosej në zonë duke paralajmëruar banorët se brenda tre orësh, do të binin 20 milimetra shi për metër katror. Në vend të kësaj, në harkun kohor të 40 minutave ranë plot 65 milimetra shi.

Dy ditë më parë, përmbytjet e befasishme morën 3 jetë njerëzish në jug të Spanjes, ku rajonet më të prekura ishin Andaluzia, Murcia dhe Valencia. Aq i fortë qe vërshimi i ujit, sa automjetet nëpër rrugë i mori me vete si të ishin lodra. Në fillim të shtatorit, me një situatë të ngjashme u përball edhe Karolina e Jugut në Shtetet e Bashkuara dhe Argjentina, ku mjaft banorë të rrethinave të Buenos Ajresit u gjendën të papërgatitur e me vështirësi arritën të evakuohen.

Top Channel