Gara për president, Joe Biden i pavendosur

11/09/2015 13:50

Zv.presidenti amerikan, Joe Biden nuk ka vendosur ende nëse do të përfshihet në garën për President të Shteteve të Bashkuara.

“Do të gënjeja nëse do të thoja tani në këtë moment që do të garoj”, tha Biden në një intervistë dhënë për Stephen Colbert,

Mbështetës të zv.presidentit e kanë inkurajuar atë që të kandidojë, nisur edhe nga sondazhet e fundit që tregojnë një rënie të mbështetjes për Hillary Clinton, e cila gjithsesi shihet si emri favorit për të dalë kandidate zyrtare nga gara mes demokratëve.

Në muajin maj, Joe Biden humbi djalin e tij, Beau, humbje që mund të kushtëzojë në vendimin për të garuar ose jo në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

“Në kendvështrimin tim, askush nuk ka të drejtë që të kërkojë atë zyrë nëse nuk është i gatshëm që të japë 110 përqind nga vetja. Unë jam optimist, pozitiv për veten time, por ndonjëherë, ju e kuptoni vetë…”, tha Biden, duke nënkuptuar se humbja e djalit e ka tronditur tej mase.

Biden është përfshirë dy herë në të shkuarën në garat e demokratëve për t’u shpallur kandidat përfundimtar, në 1988 dhe në vitin 2008, para se të bëhej zv.president i Obamës. Përfaqësues të zv.presidentit deklarojnë se ai do të dalë me një vendim përfundimtar nga muaji tetor.

Top Channel