Kosovë, Qeveria miraton me procedurë të përshpejtuar pr.ligjet për Specialen

03/08/2015 00:00

Menjëherë pas miratimit të amendamentit kushtetues nr. 24 në Kuvendin e Kosovës, Qeveria mbajti një mbledhje urgjente për të miratuar projektligjin për Gjykatën Speciale dhe atë për mbulimin e shpenzimeve të personave të akuzuar nga kjo gjykatë.

Qeveria, pas miratimit në mbledhje urgjente, i ka dërguar me procedura të përshpejtuara në Kuvend projektligjet për t’u miratuar edhe atje, menjëherë pas seancës plenare të jashtëzakonshme të mbajtur sot.

Përfaqësuesi i “Listës Serbe” në qeveri kërkoi sqarime se, përse Qeveria duhet t’u paguajë shpenzimet e mbrojtjes njerëzve të akuzuar. Por ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi tha se, i mbrojnë qytetarët për të cilët nuk ka ende vendim të prerë se janë fajtor.

Pas debatit, zv.kryeministri Branimir Stojanoviç votoi kundër këtij projektligji.

Seanca, ku pritet që të diskutohen dy projektligjet për Dhomat e Specializuara dhe projektligji për Ndihmë Juridike të të Akuzuarve që do të gjykohen nga Gjykata Speciale, pritet të fillojë në orën 21.

Kjo është vendosur në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, e cila është mbajtur pas miratimit të dy projektligjeve nga ana e Qeverisë. Miratimi i projektligjeve erdhi pas votimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Kosovës, që i hapin rrugë Gjykatës Speciale.

Top Channel