Bushati: Presim financime nga BE. Kufiri me Greqinë? Të gjitha opsionet të hapura

29/07/2015 00:00

Ajo që ministri i Jashtëm shqiptar e cilëson bekimi i Bashkimit Europian nuk është asgjë tjetër, veç kërkesa për financim të projekteve infrastrukturore në rajon.

Një ditë pas samitit ballkanik në Tiranë, shefi i diplomacisë shqiptare sqaron për Top Channel se vendet e Ballkanit kanë rënë dakord t’i paraqiten Europës projekte konkrete për rrugë lidhëse, jo vetëm mes njëri-tjetrit, por edhe me vetë BE-në përmes Kroacisë.

Tani fjala i mbetet BE-së në Samitin e Vjenës, për të provuar nëse Europa do të pranojë afrimin e Ballkanit përmes infrastrukturës.

Por samitit ballkanik, nuk ishte lajmi i vetëm pozitiv që prodhoi Tirana. Vizita e të parit kryeministër serb në Shqipëri tregoi qartë afrimin mes dy vendeve, duke treguar se, pavarësisht ndarjes së thellë për Kosovën, dy vendet mund të jenë më bashkëpunuese.

“Presim që pala serbe të jetësojë angazhimin e ndërmarrë për njohjen e diplomave. Gjithashtu, kemi rënë dakord me palën serbe të krijojmë mundësinë për një lëvizje të lirë, pra edhe me karta identiteti për qytetarët e dy vendeve”, thotë ministri i Jashtëm, Bushati.

Samiti i Ballkanit në Tirane ishte rasti që pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, të ulte në takim edhe kreret e dy qeverive shqiptare dhe asaj të Shkupit.

“Qëndrimi ynë është i pandryshueshëm në këtë pikë. Kërkojmë një hetim të besueshëm dhe një transparencë të plotë për atë çfarë ka ndodhur në Kumanovë”, thotë Bushati.

Takimet dhe komunikimet me krerët e tjerë të rajonit nxorrën edhe më në pah mungesën e komunikimit të drejtpërdrejtë të Tiranës me Greqinë. Shefi i diplomacisë shqiptare pranon se ka një rënie të intensitetit të komunikimit krahasuar me qeverinë e mëparshme të Athinës. Por ai beson se, ashtu si Shqipëria, edhe Greqia do të duhet të ndajë bindjen se vetëm përmes bisedimeve mund të zgjidhen çështjet mes dy vendeve, dhe jo përmes asaj që quan “megafon-diplomaci”.

Për çështjen që acaroi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, asaj të kufirit detar, Bushati lë të hapura të gjitha mundësitë e zgjidhjes.

“Të gjitha mundësitë janë të hapura, si një zgjidhje nga e para, e rinegociuar duke mbajtur parasysh linjat e kuqe që ka vendosur Gjykata Kushtetuese shqiptare, të paktën sa i përket Shqipërisë, por po kaq e hapur si mundësi është adresimi i kësaj çështjeje, tek instrumentët që ofron e drejta ndërkombëtare dhe precedentët, qoftë edhe në rajonin tonë, për adresimin e kësaj çështjeje duke u bazuar në instrumentët e së drejtës ndërkombëtare, që nuk mungojnë”, sqaron ministri Bushati.

Kohët e fundit ka lindur një debat mbi politikën e jashtme të ndjekur nga vendi ynë, e që disa e kanë cilësuar edhe amatore.

“Më vjen mirë që politika e jashtme në këto 25 vite ka ngjallur interesin e shumë njerëzve, qofshin këta edhe komentatorë, të paangazhuar apo njerëz që militojnë në parti të ndryshme politike. Mund të them që politika shqiptare karakterizohet nga qëndrueshmëria, konstruktiviteti, dinamizmi dhe ruajtja e ekuilibrave”, përgjigjet ministri Bushati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA