Basha pret Kotzias: Të shfuqizohet Ligji i Luftës

15/07/2015 00:00

Pas takimeve që pati me Bushatin, Metën dhe kryeministrin Rama, ministri i Jashtëm grek, Nikolaos Kotzias u prit edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në deklaratën e lëshuar nga PD-ja në lidhje me takimin thuhet se Basha theksoi rëndësinë e abrogimit të Ligjit të Luftës, “pasi përbën një pengesë juridike për shqiptarët që kanë dhe duan të kërkojnë të drejtat e pronësisë në Greqi”.

Kreu i PD, në bisedën me ministrin e Jashtëm grek, Kotzias, tha se duhet vullnet dhe reciprocitet për të kapërcyer çështjet e mbetura pezull dhe për të çliruar mundësitë e mëdha dhe energjitë ende të pashfrytëzuara që ekzistojnë mes dy vendeve.

“Basha e siguroi ministrin grek se Partia Demokratike do të mbetet vazhdimisht një mbështetëse e palëkundur e marrëdhënieve të mira me Greqinë dhe promotore e thellimit të tyre të mëtejshëm”, thuhet më tej në deklaratë.

Top Channel