Fitoussi: Reforma në drejtësi është detyrim

14/07/2015 00:00

Në nder të festës së republikës, Ambasada franceze në Tiranë zhvilloi një pritje ku të pranishëm ishin politikanë, diplomatë, gazetarë, artistë dhe njerëz që kanë lidhur jetën e tyre me këtë shtet.

Në fjalën e tij, ambasadori francez në Tiranë, Bernard Fitoussi duke falënderuar të gjithë popullin shqiptar për mbështetjen e dhënë pas tragjedisë së “Charli Hebdo”, theksoi se lufta ndaj terrorizimit, në të cilën Franca dhe Shqipëria janë krah njëra tjetrës, nuk mjafton.

“Duhet të luftojmë gjithashtu kundër atyre që duan të zhbëjnë bashkimin kombëtar të republikës, nëpërmjet korrupsionit dhe krimit të organizuar. Edhe në këtë rast asnjë mëshirë, sepse të korruptuarit dhe kriminelët kërcënojnë paktin social midis çdo qytetari dhe vendit të tij. Për Francën kanë shumë rëndësi përpjekjet që Shqipëria bënë në këtë fushë, përpjekje të cilat bëjnë pjesë në prioritetet kyçe për të vazhduar rrugëtimin tonë të përbashkët drejt integrimit europian”, u shpreh ambasadori Fitoussi.

Ashtu si kancelarja Merkel një javë më parë, apo edhe kreu i Parlamentit Europian, Martin Shulz, edhe ambasadori Fitoussi, me anë të një simbolike vuri theksin tek reforma në drejtësi.

“Në Shqipëri në krye të çdo vendimi të Gjykatës është e shkruar: ‘Në emër të popullit shqiptar’. Në emër të popullit shqiptar autoritetet dhe të gjithë përbërësit e jetës politike, por edhe organet e drejtësisë dhe shoqëria civile e kanë për detyrë të fillojnë rrugën e gjatë dhe të vështirë të reformës në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Ky është edhe një detyrim për të nxitur edhe investimet në Shqipëri. Drejtuesit e kompanive kanë nevojë për siguri juridike”, deklaroi Fitoussi.

Jashtë vëmendjes nuk mbeten as zgjedhjet lokale.

“Populli shqiptar u shpreh, procesi elektoral nuk ishte i keq edhe pse mund të ishte edhe më i mirë, por duke parë historinë e Shqipërisë ndonjëherë ai ka qenë edhe më i keq. Është çështja e gotës gjysmë plot apo gjysmë bosh, si ta shohësh. Gota e demokracisë në Shqipëri nuk është akoma plot deri në buzë, por po mbushet pak e nga pak dhe kjo është më të vërtetë diçka e mirë. Por sipas parimit themelor, sovraniteti i përket popullit, i cili e ushtron atë me votë. Nëse do të provohet se mashtrues të ndryshëm e kanë cenuar këtë parim, pres që ata të dënohen rëndë nga drejtësia”, tha ndër të tjera ambasadori francez në Tiranë.

Në fund të fjalës së tij, ambasadori i Francës në Tiranë nuk la pa përmendur dhe harmoninë fetare në Shqipëri, vizitën e Papës apo dhe rolin e vendit tonë për stabilitetin në rajon.

Top Channel