Rreziku nga ekstremizmi, “besimi fetar manipulohet për të justifikuar terrorizmin”

10/07/2015 00:00

Kreu i minisionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin paralajmëroi autoritetet shqiptare se duhet ta shtojnë vigjilencën përballë radikalizmit fetar dhe ekstremizimit. Gjatë prezantimit të studimit “Për radikalizmin fetar dhe ekstremizmin e dhunshëm në Shqipëri”, zonja Vlahutin theksoi se harmonia fetare në Shqipëri nuk duhet të shërbejë si arsye për të qëndruar të qetë përballë sfidës globale të ekstremizmit.

“Terrorizmi dhe të gjitha format që manifeston ai është një prej kërcënimeve më të mëdha për paqen dhe sigurinë dhe askush nuk ka imuninet prej tij. Ne jemi dëshmitarë sesi ka tentativa për ta manipuluar besimin si një jutifikim për terrorizmin dhe duke formuar ndasi në shoqëritë tona. Asjë besim nuk predikon djallëzi apo abuzime në dëm të të tjerëve. Ky studim na tregon se radikalizmi në Shqipëri ndodhet në nivele të ulëta, por ne duhet t’i kushtojmë vëmendje për ta adresuar me kujdes këtë problem tani.  Kjo, për të shmangur çdo mundësi të rritjes së ideologjisë e cila ka në thellësi të saj dëmtimin e shoqërisë tonë. Fakti që besimet në Shqipëri ndjekin bashkarisht rrugën tradicioanale liberale, dhe kjo njihet tashmë ndërkombtarisht, nuk duhet të shërbejë si një arsye për aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë për të mos qenë aktivë, pasi ky është një fenomen glogal nga i cili ashkush nuk është i mbrojtur”, deklaroi Vlahutin.

Duke ndarë me të pranishmit shembullin e organizatave ndërkombëtare, ambasadori amerikan Donald Lu tha se qeveria dhe shoqëria shqiptare duhet të bëjnë kujdes. “E nxisim qeverinë të studjojë raportin dhe ta përdorë atë për përgatitjen e planit të veprimit të Shqipërisë në luftën kundër ekstremizimit”, tha ai.

Sfidën me ekstrezmin e çdo lloj forme, tha ministri Tahiri, do ta fitojmë bashkarisht me partnerët ndërkombëtarë. “Lufta ndaj radikalizimit fetar dhe ekstremizmit të dhunshëm është një prioritet, në kuadër të të qënit pjesë në Aleancën Kundër Terrorizmit dhe në NATO. Kundërvënia ndaj këtyre fenomeneve do të përfshijë të gjitha aspektet parandaluese dhe të gjitha ndërhyrjet e përbashkëta për të bllokuar dhe mos u hapur rrugë ideologjive ekstremiste”, tha Tahiri.

Blendi Klosi, ministër i Mirëqënies Sociale, e vuri theksin tek përpjekjet e qeverisë për zbutjen e problemeve sociale, që mund të jenë burim i radikalizmit fetar.

“Në këndvështrimin tonë, ky është një fenomen social, që mund të rrezikohet nga problematikat sociale të grupeve të caktuara shoqërore, ndaj jemi përpjekur që bashkë me komunitetet fetare të jemi pranë shtresave në nevojë, që kanë nevojë për ndihmën e shtetit”, tha Klosi.

Ndërsa sipas kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Brucaj, institucioni që ai drejton është munduar të ndërgjegjësojë qytetarët dhe po përpiqet të luftojë e parandalojë bindjet që mund të çojnë njerëzit drejt ekstremeve. “Ndërgjegjësimi i individëve për pranimin e diversiteteve është i rëndësishëm”, theksoi Brucaj.

Studimi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim jep 4 redomandime të cilat janë:

1-Trajtimi i fenomenit të radikalizmit fetar dhe ekstremizmit të dhunshëm përtej kufijve të sektorit të sigurisë.

2-Konsolidimi i nivelit të formimit teologjik të imamëve, trajnimi i tyre lidhur me radikalizmin fetar.

3-Shoqëria civile duhet të konribuojë për kundërshtimin e ideologjive dhe axhendave proaktive të grupeve radikale fetare.

4-Hartimi i programeve të monitorimit të tensionit, përfshirë parandalimin e radikalizmit dhe çradikalizimin në nivel individual.

Top Channel