“Tirana Open”, fiton Mustafa Nano

11/05/2015 00:00

Libri “PAX Albanica” i autorit Mustafa Nano është vlerësuar me çmimin “Ardian Klosi” gjatë Festivalit të Librit, që po mbahet këtu në Tiranë. Botimi i Shtëpisë Botuese “SARAS” është vlerësuar me këtë çmim, “për trajtimin e shumanshëm të marrëdhënieve fetare mes shqiptarëve, në kontekstin e ngjizjes së kombit”.

“Për trajtimin e shumanshëm dhe sintetizues të marrëdhënieve ndërfetare mes shqiptarëve, në kontekstin e ngjizjes së kombit shqiptar në historinë moderne, dhe debateve kulturore e ndërelitare që shoqëruan, dhe dilemave sociale e kulturore në bashkëkohësi”, deklaroi gjatë shpjegimit të motivacionit Piro Misha, kryetar i jurisë së Festivalit të Librit.

Çmimi jepet në kuadrin e Festivalit të Librit dhe Arteve dhe mundësohet nga rrjeti “Traduki”, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria që prej janarit të një viti më parë.

“Mendoj se toleranca fetare nuk është një arritje që duhet të na bëjë neve të flemë mendjen, por është një sfidë për të gjithë ne. Kjo tolerancë ka lindur në kontekste të caktuara historike, mirëpo këto kontekste edhe lëvizin, duke e bërë këtë sfidë të marrë vazhdimisht forma të reja”, u shpreh autori Mustafa Nano, publicist.

Për Mustafa Nanon, të pasurit e shumë feve është një problem për shqiptarët, por sipas tij, është një gjë e mirë që kemi tolerancë fetare, një çështje që ai e trajton gjatë në librin “PAX Albanica”.

“Nuk mendoj siç bëjnë disa, sa gjë e mirë është që kemi shumë fe në shoqërinë shqiptare. Nuk e shoh këtë si gjë të mirë, por si një problem të shoqërisë shqiptare këtë fakt. Por mirë është, dhe këtu besoj se biem dakord të gjithë, që shqiptarët kanë mundur të ndërtojnë tolerancën ndërfetare për të cilën unë fola, e për të cilën flasim të gjithë”, shtoi më tej publicisti Nano.

“PAX Albanica” gjendet në stendën “SARAS” në Panairin e Librit në Pallatin e Kongreseve, si dhe në çdo librari, nën siglën e botimeve “SARAS”.

 

Top Channel