Protestat në Shkup nuk ndalen, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Gruevskit

08/05/2015 00:00

Qytetarët e Maqedonisë, të zhgënjyer nga politikat e qeverisë së Nikolla Gruevskit, vazhdojnë të shprehin revoltën e  tyre në protesta.

Qindra qytetarë dolën përsëri në rrugë për të kërkuar largimin e Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij nga pushteti.

Protesta u zhvillua para godinës së Parlamentit në Shkup, meqë forcat e shumta të policisë nuk i lejuan demonstruesit të protestojnë para selisë së qeverisë dhe ndërtesës së Prokurorisë Publike.

“Protestoj kundër të gjitha padrejtësive në shtet. Protestoj dhe kërkoj largimin e njerëzve që e drejtojnë shtetin në mënyrë jo të sinqertë. Unë bëj pjesë në kategorinë e qytetarëve që duan drejtësi”, u shpreh një protestues.

“Protestoj për të kërkuar demokraci dhe liri. I mbështes të gjithë këta të rinj që kanë dalë këtu për të kërkuar drejtësi, paqe dhe liri’, tha një tjetër.

Protestës i ka paraprirë publikimi i bisedave të përgjuara të zyrtarëve qeveritarë lidhur me vdekjen e gazetarit Nikolla Mlladenov. Mllefin tek protestuesit e kanë shtuar edhe më tepër akuzat e opozitës në adresë të policisë për fshehjen e dëshmive të shumta në procesin hetimor për vdekjen e gazetarit të njohur maqedonas.

“Qytetarë të nderuar kudo që jeni, duhet të na bashkëngjiteni, sepse ky popull nuk mund të durojë më tepër. Ky popull nuk duhet të heshtë për vrasjet që i fshihte qeveria e Maqedonisë dhe ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska”, tha një protestues.

Demonstratat në kryeqytetin e Maqedonisë po vijojnë prej tri ditësh. Protesta që u zhvillua mbrëmjen e së enjtes  zgjati rreth tre orë dhe u mbyll pa incidente. Paralelisht me protestuesit në Shkup, dorëheqje nga Gruevski kanë kërkuar edhe qytetarët e Prilepit dhe Strumicës.

 

Top Channel